Kushtetuesja vendos masë ndaj dekretit të Osmanit, ndalon çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur një masë të përkohshme për pezullimin e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit.

Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo veprim i presidentes lidhur me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë çështje.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, përmes së cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimi i çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese, është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në vend”, thuhet në vendim.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se ndalimi i çdo vendimi apo veprimi të mëtejmë nga institucionet është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.