Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të shpallur anti-kushtetues vendimin për ndërtimet pa leje, duke i dhënë të drejtë qeverisë. PD e depozitoi në tetor të vitit të kaluar nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i këtij vendimi, të cilin e konsiderojnë si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili shprehet se nuk është aspak i surprizuar nga ky vendim. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij.
Por çfarë do të thotë ky vendim i Kushtetueses?
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese i dha “dorë të lirë” ndërtuesve të ngrenë godinat me sa kate të duan, pavarësisht lejes së marrë nga organet kompetente. Tashmë ndërtuesit do të kenë mundësi që katet e ndërtuara pa leje t’i “blejnë” te qeveria, duke i paguar me çmim tregu.
Pra, mjafton të paguash dhe mund të bësh çfarë të duash. Nga ky vendim i sotëm ndërtuesit nuk rrezikojnë më të burgosen për “ndërtim pa leje”, ndërkohë që janë qytetarët ata që e pësojnë, të cilët duhet të marrin dhjetra leje edhe për të hapur 1 dritare apo për të ndërtuar çatinë e shtëpisë së tyre. I tillë ishte rasti i kantautorit Bojken Lako, i cili u dënua me 3 vite burg të konvertuara në shërbim prove vetëm sepse tentoi të hapte një dritare për studion e tij muzikore. Kullat shumëkatëshe të ndërtuara me paratë e krimit dhe me leje të blera në bashki apo qeveri do të vijojnë të mbushin Tiranën dhe jo vetëm, sidomos tani që s’ka as ligj që t’i ndalojë.