“Kush prek protestuesit, ka punë me PD”, Flamur Noka: Në çdo shtëpi ka revoltë kundër qeverisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, gjatë protestës u shpreh se në çdo shtëpi shqiptare vihet re një revoltë e shtuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton.

Duke komentuar veprimet e policisë që hodhi gaz lotsjellës mbi turmën, Noka tha se efektivët janë urdhëruar nga eprorët që “të luftojnë opozitën”.

Ai paralajmëroi policinë, duke thënë se kush guxon të prekë protestuesit paqësorë do ketë punë me Partinë Demokratike.

Sipas Nokës, opozita është në mosbindje civile dhe betejën e saj do ta çojë në fund.

“Në çdo shtëpi shqiptare ka revoltë kundër qeverisë. Janë mercenarë të krimit të organizuar, nuk kanë asnjë lidhje me ligjin. Ato fytyra aty mbrapa nuk përfaqësojnë as ligjin e as shtetin. Ata janë mercenarë të krimit të organizuar dhe s’kanë lidhje me ligjin. Janë të gjithë polici politike dhe e inkriminuar kundër opozitës. Fakti që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve paqësore tregon misionin e tyre politik. Policia s’ka të drejtë të japë apo jo leje, ata thjesht marrin njoftim dhe garantojnë rendin publik. Ne jemi në mosbindje civile. Kush goxon të arrestojnë një protestues do ketë punë me PD”, theksoi Noka.