Në mbledhjen e kësaj të marte, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha “OK” propozimit të SPAK që drejtuesi i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit të jetë Joni Keta.
Kandidatura e tij u miratua në mënyrë unanime nga KLP, me 11 vota pro. Emri i Ketës u zgjodh nga SPAK, pas një procesi që zgjati për disa muaj. Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, edhe prokurorë.
Joni Keta, 37 vjeç ka mbajtur më parë detyra drejtuese brenda BKH-së ndërsa pas largimit të Hajnajt, mbajti funksionin e kreut të komanduar të institucionit.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ka pasur një karrierë të gjatë në policinë gjyqësore, duke filluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Në vitin 2024, ai u zgjodh si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëkohësisht drejtues i komanduar deri në marrjen e detyrës si drejtues i plotë.
Ai është djali i prokurorit Hysen Keta, ish-drejtues i Prokurorisë së Përmetit, dhe i profesoreshës Majlinda Keta, lektore në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.