Kush është Ergys Agasi? Lidhjet politike, biznesi dhe dosja e tenderëve të AKSHI-t

Mbrëmjen e të mërkurës ka rënë në prangat biznesmeni Ergys Agasi, i cili ndodhej në arrati prej 8 muajsh.

Agasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK pas skandalit me tenderët e AKSHI-t.

Por kush është Ergys Agasi?

Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta.

Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ndërsa sot në burg me dy dënime nga GJKKO për aferën e inceneratorëve.

Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave mallrave.

Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Ilir Metës, pasi ai do të rikthehej sërish në Partinë Socialiste.

Emri i Ergys Agasit u bë i njohur në media pas intervistës së Arben Ahmetajt për televizionin italian, Rai3 ku hodhi akuza të forta për kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet që ai pretendon se kreu i qeverisë ka me krimin e organizuar. Sipas tij këto lidhje koordinohen nga Ergys Agasi.

Më pas Ergys Agasi do t’i futej seriozisht botës së biznesit. Më herët ai rezultonte që prej vitit 2011 bashkëthemulues me disa shtetas grekë i një kompanie import-eksporti të quajtur “Agasi Markoudis Group”, ndërsa në 2016-n kishte krijuar “EA LOGISTICS” e cila vetëm një vit më vonë u bë “EA TOBACCO”, një kompani për tregtinë e cigareve. Do të ishte pikërisht ky biznes që do ta vendoste për herë të parë në radarët e SPAK Ergys Agasin, në momentin kur bleu “Albanian Tabak Fabrika e Cigareve”, që u akuzua për kontrabandë duhani. 

Në vitin 2023 Agasi krijon kompaninë EA Solution SHPK me objekt kryesor “Zhvillimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve në fushën e teknologjisë së informacionit”. 

Dhe pikërisht me këtë kompani SPAK thotë në dosje se Ergys Agasi mori, përmes një serie transaksionesh mes viteve 2023 dhe 2025, mbi 9 milionë euro, në formë ryshfeti për ndikimin e tij për paracaktimin e tenderave të AKSHI-t.

Tashmë Agasi do të përballet me drejtësinë, ku akuzohet nga SPAK për disa vepra penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.