Kush e favorizon tregun ilegal të kafshëve të rralla

Autoritetet në Shqipëri janë indiferente për kapjen, për tregtinë dhe për eksportin e shpendëve të rrallë. Qindra dyqane dhe dhjetëra faqe online plotësojnë dëshirat e atyre që duan të kenë në shtëpinë apo në lokalin e tyre një shpend ose një kafshë të egër ose të rrallë. Organizatat, që mbrojnë kafshët, japin alarmin për fenomenin që shtohet. Ligjet lënë hapësirë për institucionet, që ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.

“Papagallin e rrallë, që e kisha parë në internet, e gjeta më lehtë nga sa e mendoja”.

Kështu e nis rrëfimin Daniela, një 16-vjeçare nga Tirana, e cila tashmë po e rrit shpendin e rrallë në banesë.

Pas një vëzhgimi prej disa orësh në dyqanin që ndodhet në Rrugën e Dibrës në Tiranë, ku e reja na tregoi se e ka blerë shpendin, INA Media konstatoi se blerjet kryheshin pa faturë dhe pa dëshmi për vaksinim të shpendëve. Sipas shitësit, origjina e papagajve dhe e shpendëve të tjerë nuk dihet gjithmonë, në mungesë të një certifikate të rrugëtimit të shpendëve, nga lindja deri në dyqanin e tij.

“Vijnë nga Italia, nga Brazili, nga Kosova, por ka nisur të shtohen edhe në Shqipëri”, – tha shitësi.

Panorama ishte e njëjtë edhe në disa dyqane të tjera në rrugën “Hoxha Tahsim” dhe në lagjen Kombinat në Tiranë.

Blerja e një shpendi apo e një kafshe të rrallë nuk është e vështirë në Shqipëri. Qindra dyqane operojnë në vend, mjaft të tjera, online.

Sipas të dhënave të Indeksit të Krimit të Organizuar, Global, tregtia ilegale e shpendëve dhe e arinjve të murrmë besohet të jetë një formë e zakonshme e krimit të kafshëve të egra në Shqipëri. Për më tepër, megjithëse një ndalim mbarëkombëtar i gjuetisë ka kërkuar që ta kufizojë atë, gjuetia e paligjshme vazhdon.

Trafikimi i kafshëve të rralla po bëhet hapur

Organizata, që merret me kafshët, Four Paws, me bazë në Vjenë të Austrisë, ngre alarmin se ka një trend në rritje të tregtimit të kafshëve në Shqipëri.

Në artikull theksohet se shumica e rasteve zbulohen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe se ka shenja për një rrjet ndërkombëtar të tregtisë së paligjshme, raste që lidhen veçanërisht me Serbinë.

Four Paws i ka ngritur të gjitha këto shqetësime me ministrinë përgjegjëse në shumë raste, por ka patur vetëm pak reagim dhe asnjë veprim të ndërmarrë, konkret. Ne besojmë se vendi më i prekur nga aktivitetet tregtare është Shqipëria”, – tha në një komunikim për INA Median organizata.

Në nëntor të vitit 2023, Four Paws u njoftua me telefon se dikush në veri të Shqipërisë po përpiqej që të shiste një këlysh luani me një çmim prej 9.000 eurosh. Dyshimet atëherë ishin se këlyshi e kishte origjinën nga Serbia.

Video të qytetarëve shqiptarë në Tropojë, në Laç apo në Shkodër, që i trajtojnë këto kafshë në rrjetet sociale si të ishin qen apo mace, nuk janë të pakta.

Kafshë të rralla janë nxjerrë për shitje edhe në platforma të tjera, online, si MerrJep apo MirLir.com. Një nga rastet në këtë të fundit është një këlysh ariu i nxjerrë në shitje për 1.100 euro. Nuk mungojnë as rastet e shqiponjave të egra.

Xhemal Xherri, përfaqësues i organizatës PPNEA, thotë se trafikimi i faunës së egër është një ndër kërcënimet më të mëdha që i kanoset mjedisit në Shqipëri. Ai shton se për këtë temë flitet shumë pak.

Shpendët dhe breshkat janë më të përhapura, por ka edhe kafshë të tjera, që trafikohen, sipas Xherrit. Eksperti thekson faktin se kohët e fundit është rritur trafikimi i llojeve ekzotike drejt Shqipërisë, duke përfshirë këtu luanë apo tigra.

Ndërkohë, organizata Animals Need Me trafikimin e quan një problem real, që kërkon angazhim të shpejtë.

Sipas tyre, ky fenomen është tepër shqetësues, pasi brenda vitit 2024 këta këlyshë luanësh ose tigrash do të jenë rritur dhe do të bëhen të pamenaxhueshëm nga personat që i kanë blerë, duke u bërë një rrezik, jo vetëm për ta, por edhe për komunitetin.

Në dyqanet e kafshëve në Korçë dhe në Elbasan mund të gjesh pothuajse të gjitha llojet e kafshëve që dëshiron; mjafton të paguash. Në njërin prej tyre INA Media kërkoi blerjen e një çifti papagajsh me idenë e transportit për në një vend të Europës, por mësuam se kjo gjë nuk është e lehtë, madje e pamundur. Shkaku është mungesa e dokumentacionit.

“Së pari, duhet të flisni me veterinerin për vaksinat, se mos ju lëshon një letër”, – rekomandon një grua rreth të 60-ave në njërën prej pikave të shitjes së kafshëve dhe të shpendëve.

“Me avion nuk besoj se do t`ju lërë njeri që të udhëtoni, por mundohuni me rrugë tokësore”, – shtoi më tej ajo, duke sqaruar se veterineri e di më mirë dhe ka një zgjidhje.

Një veteriner, rezident në Korçë, i cili nuk preferoi që të identifikohej, sqaroi se për të transportuar ligjërisht shpendë apo kafshë drejt Europës me kushtet e lëvizjes së tyre është e pamundur.

“Shpendët, që të udhëtojnë, duhen të paktën dy vaksina, pastaj duan kushte transporti me kosto të mëdha. Ka vaksina, që kërkohen nga ligjet europiane, që këtu nuk ekzistojnë, edhe nëse i lëshon dikush, ato janë false. Mund t’ju qëllojë një doganier i mirë, që mund t’i mbushet mendja dhe mund t’i kalojë, por edhe jo. Këtu të gjitha kafshët, sidomos ato që vijnë nga jashtë, janë pa dokumente”, – tha ai për INA Median.

Ashtu si në Korçë, edhe në Elbasan dhe në Tiranë është e njëjta situatë. Nga një vëzhgim në tri prej klinikave në zonën e qendrës rezultoi se mund të marrësh një certifikatë vaksinimi dhe një letër të CITES (Konventa Ndërkombëtare e Specieve të Rrezikuara) për 20-40 mijë lekë.

Qytetarë shqiptarë, mbajtës të kafshëve të rralla, janë përballur me gjoba në vendet e Europës për qarkullimin e këtyre kafshëve, sidomos gjatë lëvizjeve për pushime ose edhe në tentativë për t’i dhuruar prej mungesës së dokumentacionit në Shqipëri.

Ariel Vasili, veteriner në Tiranë ,thotë se 99 për qind e kafshëve ekzotike në Shqipëri janë futur kontrabandë.

“Ka klinika veterinare në zonën e qendrës, që lëshojnë certifikata false, duke gënjyer pronarët, të cilët jo në pak raste janë përballur me gjoba, kur kanë pasur kafshë të tilla me vete në pushime. Kështu, në Kroaci ka patur dy raste me nga 700 euro gjobë”, – tha Vasili për INA Median.

Sipas tij, 95 për qind e papagajve, por edhe gjarpërinj, breshka etj., janë pjesë e anekseve të ndryshme të CITES dhe çdo dyqan kafshësh dhe shpendësh duhet që të aplikojë në Ministrinë e Mjedisit të vendit eksportues dhe atij importues për ta patur ligjërisht atë kafshë.

Zogjtë nga Shqipëria, në tregun ilegal të Athinës, luanë dhe tigra vijnë nga Serbia

Për ta kuptuar më shumë procesin e trafikimit të kafshëve, duhet të bëhet një ndarje kryesore me dy drejtime, trafikimin nga Shqipëria për në vendet e tjera dhe trafikimi nga vendet e tjera për në Shqipëri. Bazuar në legjislacionin në fuqi, procedura e kalimit të kafshëve në kufi duhet miratuar në Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit, autoriteti që lëshon certifikatën përkatëse për kryerjen e procedurave doganore.

Ministria në fjalë në një përgjigje shkruan për INA Median se nuk ka regjistruar asnjë rast të trafikimit të kafshëve të rralla. “Vitet e fundit nuk kemi pasur raste të trafikimit të kafshëve të egra”, – shkruhet në përgjigje.

Veterineri Ariel Vasili është i bindur se i gjithë qarkullimi i kafshëve ka një rrjet kontrolli.

“Sipas të gjitha gjasave rrjeti kontrollohet nga klane të forta serbe dhe turke. Shumica e kafshëve, që vijnë në klinikat shqiptare, ose janë me pasaporta serbe qensh, ose në raste të tjera në letra është thjesht aplikimi i CITES, i plotësuar me stilolaps në serbisht, me qëllim mashtrimin e doganës”.

Sipas Vasilit, përveçse shkelet ligji, gënjehen edhe blerësit, që e marrin të mirëqenë dokumentin. Në Shqipëri nuk ka asnjë leje hyrje të kafshëve CITES veç atyre të Zoo Park Tirana.

Sipas Vasilit, doganat janë të përfshira në të gjithë këtë qarkullim ilegal kafshësh dhe çmimi për shkak të zinxhirit përfitues rritet disa fish.

“Edhe në rastet kur doganat raportojnë kafshë të hyra ilegalisht (dy pitonë dhe dy iguana, në korrik të vitit 2023), shteti nuk arrin t’i sekuestrojë. Kontrabanda ka kosto të madhe, pasi, ndërkohë që në Itali t`i gjen një african grey parrot për 1.500 euro, në Tiranë ti gjen për 4 mijë euro të njëjtin dhe të sëmurë”.

Saimir Shehu, përfaqësues i organizatës Four Paws në Shqipëri, mendon se problemi i trafikimit të kafshëve të egra përbën një emergjencë. Edhe ai mendon se mbrapa qëndron një rrjet trafiku i organizuar. Ai aludon se janë të përfshira të ashtuquajturat petshop-e, pasi mjafton të kërkosh një kafshë të rrallë dhe ata me shumë gjasë do ta gjejnë me lehtësi.

“Raste të tregtimit të paligjshëm janë hapur fare, madje promovohen edhe në media kombëtare”, – tregon Shehu për INA Median.

Ndër të tjera Shehu thotë se, sipas informacioneve që ai ka, Serbia është një rrugë kalimi nëpërmjet Kosovës. Sipas tij, nuk ka një kompani, që i sjell luanët apo tigrat legalisht në Shqipëri.

 “Hyrja e kafshëve bëhet me mjete të rastit, çanta, bagazh makine dhe doganat patjetër që e lejojnë; nga informacionet tona kryesisht nga doganat me Kosovën, por nuk përjashtohet mundësia për Malin e Zi dhe Maqedoninë”, – tha ai.

Raste të trafikimit ka pasur edhe të arinjve në Shqipëri. Shehu, i cili ka qenë pjesë e një grupimi të quajtur Të Shpëtojmë Arinjtë Shqiptarë, tregon më shumë detaje.

“Para disa viteve në Dibër dy këlyshë u tentuan të shiteshin në Maqedoni. Ne reaguam menjëherë dhe madje bëmë edhe një denoncim në polici. Kuptohet që, derisa i erdhi radha hetimit (pas 6 muajsh a më shumë), arinjtë ishin zhdukur me kohë”. 

Një tjetër fenomen trafikimi janë zogjtë e në veçanti kanarinat drejt Greqisë. Këtë e konfirmon edhe Hellenic Ornithological Society. Kjo organizatë thotë për INA Median se tregu i hapur i Schisto-s vazhdon çdo javë, ku qindra zogj, të dyshuar se vijnë nga Shqipëria, shiten ilegalisht.

“Problemi është se ne nuk mund ta konfirmojmë vërtet prejardhjen e atyre zogjve, megjithëse kemi informacione jozyrtare se shumë prej tyre janë me origjinë shqiptare, veçanërisht në Schisto-s, afër Athinës.”

Eduart Cara, përfaqësues i Federatës së Ornitologëve Shqiptarë, e konfirmon faktin se në Shqipëri problem i madh është zënia e zogjve të natyrës, kryesisht gardalina, që është një zog goxha i kërkuar në tregjet e vendeve fqinje, Greqi dhe Itali.

“Zënia e zogjve bëhet nga individë për motive tregtimi apo nga të pseudo-pasionuarit pas zogjve (meraklinjtë). Në çdo qytet të Shqipërisë në afërsi të tregjeve apo edhe në dyqane, që tregtojnë zogj apo aksesorë, shiten me çmime qesharake zogjtë e natyrës, e theksoj, qesharake”, – tha Cara për INA Median.

Ai tregon se kalimi i shpendëve ka mënyra nga më të ndryshmet dhe inovative, si për shembull panairet apo konkurset e ndryshme të këndimit, të cilat janë maskime për fundin që do të kenë këta shpendë, trafikimin.

Sipas organizatës AOS (Shoqëria Ornitologjike Shqiptare), çdo vit në Shqipëri në zonat e Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit, të Elbasanit, të Tiranës dhe të Korçës kapen në mënyrë të paligjshme rreth 40 mijë zogj. Marrja e këtyre shpendëve bëhet veçanërisht gjatë sezonit të shumimit. Trafikantët grabisin foletë, duke përdorur rrjeta, karrem dhe kafaze-kurth.

Një numër i konsiderueshëm i zogjve të kapur ngordhin, përpara se të mbërrijnë në tregje ose në dyqanet e kafshëve.

Zogjtë, që mbijetojnë nga kapja dhe nga transporti, shiten në tregun e zi brenda vendit ose trafikohen jashtë kufijve, në Greqi, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Mal të Zi, në Itali etj. Shumica e shpendëve të kapur në Shqipëri trafikohen jashtë vendit. Transporti drejt vendeve të tjera bëhet me rrugë të ndryshme, me autobusë (të fshehur në bagazhet e autobusëve me ose pa dijeninë e drejtuesve), me mjete personale, me traget apo edhe me avion. Gjithsesi, rrugët kryesore të trafikimit të shpendëve mbeten rrugët tokësore për shkak të kontrollit më të ulët.

Sipas AOS, Greqia pret mesatarisht 24-27 mijë zogj në vit nga Shqipëria. Kalimi për në Greqi bëhet kryesisht nga pika doganore e Kapshticës. Në vitin 2017, AOS u informua për transportin e paligjshëm të shpendëve këngëtarë drejt Greqisë. Shoqata e kishte raportuar rastin në Inspektoratin e Mjedisit dhe inspektori e kishte sekuestruar mjetin në pikën kufitare të Kapshticës, duke konfiskuar 300-400 finca.

Sipas detajeve që jep AOS, kur mbërrijnë në Greqi, zogjtë nga Shqipëria pajisen me unaza. Vendosja e unazave bëhet për të fshehur trafikun, si dhe për të siguruar një çmim më të lartë, duke i paraqitur shpendët e kapur si zogj të kultivuar.

INA Media i shkroi zyrtarisht një email doganës së Kapshticës, duke marrë parasysh fluksin më të madh të kalimeve të supozuara nga kjo pikë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk mori përgjigje. Disa nga zogjtë trafikohen brenda vendit. Çmimet variojnë nga 200 lekë deri në 8.000 lekë një copë.

Autoritetet thonë se nuk kanë dijeni, raste minimale për hetim, asnjë gjykim, ligjet nuk mjaftojnë

Nëpërmjet Ligjit për të Drejtën për Informim, të gjitha prokurorive dhe gjykatave në vend iu kërkuan të dhëna statistikore për personat e proceduar, të gjykuar dhe të dënuar për trafikim të kafshëve të rralla. Rezulton se në Prokurorinë e Tiranës ka pasur një procedim për këtë vepër penale, por pas hetimeve fillestare prokuroria ka shpallur moskompetencën.

Edhe Prokuroria e Dibrës pranon se është duke hetuar një rast të trafikimit të specieve të mbrojtura. Hetimi është regjistruar në vitin 2021 dhe ende nuk është gjetur autori. Ndërsa në prokuroritë e tjera në pesë vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dosje për këtë aktivitet të paligjshëm.

Në mungesë të hetimeve edhe gjykatat në vend nuk kanë asnjë vendim për të dënuar trafikantët e kafshëve të rralla, ndërsa Policia e Shtetit thotë se “nuk ka asnjë rast të trafikimit, por kemi identifikuar raste të gjuetisë së paligjshme ose jashtë sezonit të specieve të mbrojtura”.

Në shtator të vitit të shkuar autoritetet italiane zbuluan në portin e Brindisit dy breshka të rralla, të llojit testudo hermanni, tregtia e të cilave është e ndaluar sipas ligjeve ndërkombëtare, pasi janë specie në rrezik zhdukjeje.

Por, ndryshe nga autoritetet italiane, as Policia e Shtetit dhe as Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk kishin asnjë informacion mbi këtë tentativë të trafikimit të specieve të rralla.

Në një përgjigje me shkrim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pohon se nuk ka dijeni lidhur me rastin e breshkave në Itali, por në harkun kohor të pesë viteve të fundit ka ndaluar vetëm trafikimin e dy iguanave.

Pavarësisht se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pohon se ka njoftuar Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit për rastin e trafikimit të iguanave, ky institucion konfirmon se nuk ka dijeni lidhur me këtë rast apo të ndonjë rasti të ngjashëm me të. E njëjta situatë mungese informacioni është edhe për breshkat.

INA Media u interesua edhe më tej për këtë rast tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe i Mbrojtjes së Bimëve, në mënyrë që të shihej mënyra se si autoritetet kishin reaguar në rastin e një përpjekjeje për trafikim. Sipas institucionit, individi, që i transportonte, u gjobit dhe kafshët u vendosën në karantinë të detyrueshme për 21 ditë.

Sipas veterinerit Ariel Vasili, ligji aktual është sa për të kaluar radhën. Sipas tij duhet ngritur një task-forcë në nivel kombëtar.

“Zyra e CITES pranë Ministrisë së Mjedisit duhet të fillojë nga puna, pasi ka 28 vjet që nuk funksionon. Edhe kur ne dërgojmë raste, ata na kthejnë përgjigje që “nuk ekzistojnë”. Edhe kur denoncohen raste, kjo zyrë luan pingpong me policinë”, – thekson veterineri.

Xherri, nga PPNEA, thotë se duhet edhe vullnet nga qeveria për të bërë ndryshim. Sipas Animals Need Me, në Shqipëri duhet të kryhen kontrolle të mirëfillta, veterinare në dogana, në mënyrë që të luftohet trafikimi. Ina.media