Rama i bën “presion” Kurtit me Kanunin: Edhe hasmi kur të vjen në shtëpi, i hapet dera

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ende nuk i ka kthyer përgjigje Edi Ramës, për të marrë pjesë në takim, edhe pasi ky i fundit pranoi se firmosi 13 marrëveshjet mes dy qeverive.

 Në një konferencë live, teksa është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët për një takim me Albin Kurtin.

Rama tha se shpreson akoma që kryeministri Albin Kurti, do ta presë në një takim, ndërsa ka përmendur edhe Kanunin, “ku edhe hasmi të të vijë në derë mirëpritet”.

“Unë uroj që Albini të mos e ketë harruar Kanunin, se edhe hasmi kur të vjen në shtëpi, i hapet dera, e mirëpret”, tha Edi Rama.

Rama u pyet edhe nëse Balkani i Hapur e dëmtoi Kosovën por ai u shpreh se do ta bënte edhe 1 mijë herë të tjerë

Ballkanin e Hapur, 1 mijë herë të kthehesha mbrapa, 1 mijë herë do e bëja. Nuk ishte nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 nismat në këtë rajon. Dhe çfarë e keqe i ka ardhur rajonit nga kjo nismë. Përveç të mirave. Cilat janë të mirat? Merreni shihni shifrat e tregtisë dhe mos harroni se çfarë është bërë nuk zhbëhet. Nuk e kuptoj fare se si ka dyshime për këtë kur faktet flasin qartë. Sa i takon asaj të vëllazërisë apo gjakderdhjes, nuk ka rrugë më të gabuar sesa të rrimë me të shkuarën dhe për më tepët të anatemojë njëri-tjetrin, akuzojmë njëri-tjetrin dhe grindemi se kush është patrioti i vërtetë. Patriot është ai që do vendin vet dhe nuk i do të keqen askujt tjetër”, vijoi ai.