Qeveria e Kosovës urdhëroi dy ditë më parë pezullimin e licencës së biznesit të grupit Klan Kosova, me arsyetimin se në certifikatat e dy aksionerëve është shkruar se Peja dhe Gjakova janë Serbi.
Në njoftimin e bërë zyrtar thuhet se vendbanimi i pronarëve i shkruar si Pejë, Serbi dhe Gjakovë Serbi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta në vend, që e akuzojnë kryeministrin Albin Kurti se do të mbyllë mediat kundër tij në vend, në përpjekje për të vendosur një regjim ku nuk ka liri mediash.
Mbrëmjen e djeshme si shenjë solidarizimi ndaj televizionit “Klan Kosova”, mediat e tjera konkurrente të tij, si Televizioni 7, RTV Dukagjini e RTV21 në “prime-time” kanë shfaqur logon e këtij mediumi në televizionet e tyre.
Për vendimin ka reaguar edhe kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës tashmë është shndërruar në një regjim totalitar që nuk lejon të ekzistojnë mediat që e kritikojnë.