Kursi i këmbimit nuk u stabilizua as në shtator, ministri Mete takon Gent Sejkon: Do diskutojmë një vendim të përbashkët

Tregu i këmbimit valutor vijon të jetë i destabilizuar. Edhe pse pritej që vjeshta të sillte rimëkëmbjen e monedhës europiane, kjo nuk ka ndodhur.

Sipas kursit të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, valuta europiane po këmbehet mesatarisht me 106.37 lekë duke fituar 0.14 pikë në 24 orët e fundit. Kjo rënie ka shkatërruar eksportuesit, prodhuesit vendas të cilët po shkojnë ccdo ditë drejt falimentimit.

Me gjithë kërkesat dhe ankesat Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë deklaruar herë pas here se nuk mund të ndërhyjnë pasi vlerën e euros e vendos tregu.

Sot ministri i ri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku u diskutuan zhvillimet e fundit ekonomike.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ata kanë diskutuar për ecurinë dhe masat për stabilizimin e kursit të këmbimit, nxitjen e kreditimit, avancimin me sistemin e pagesave, etj. Sipas tyre është vendosur që të hartohet një vendim i përbashkët veprimi. Ministri dhe Guvernatori biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe kordinimit institucional edhe në kuadër të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), me synim dakordësimin e një plani të përbashkët veprimi. Me këtë rast u vlerësua qëndrueshmëria e sistemit financiar që ka përmirësuar ndjeshëm treguesit cilësorë dhe sasiorë.

Megjithatë dy zyrtarët e kanë cilësuar ekonominë shqiptare si të stabilizuar.