KURBANËT

“Përgjegjësia është individuale, Partia Socialiste nuk do të bëhet strehë e askujt që shkel ligjin!”

Kur Edi Rama e tha për herë të parë këtë fjali, u krijua ideja se Shqipëria kishte një kryeministër që nuk do të toleronte asnjë shkelje ligji apo korrupsion në institucionet e shtetit, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta.

E njëjta fjali filloi të bëhet refren pas çdo arrestimi nga SPAK, ku skandalet dilnin në pah ditë pas dite dhe korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në çdo institucion. Por si gjithmonë, Rama ia hidhte paq nëpërmjet kësaj fjalie, pasi sipas tij, nuk ishte në dijeni se nga buxheti i shtetit vidheshin qindra miliona euro.

Shqipëria nuk e ka arritur ende atë demokraci sa edhe kryeministri të hetohet për atë që bëjnë vartësit, ndaj për çdo skandal, duhej bërë edhe një “kurban”. Por disa herë nuk ka patur nevojë për skandale, pasi “kurban” janë bërë edhe ata që kanë dalë nga rruga e “drejtë” Ramës, e shtruar me viza të bardha.

Ne po marrim disa nga zyrtarët më të lartë që Rama i ka bërë “kurban” ose që pritet të kenë radhën, pasi nëse do të kalojmë te “peshqit e vegjël”, do të na duhej shumë për t’i përmëndur të gjithë.

Shkëlqim Cani ishte ministri i parë i Financave kur PS erdhi në pushtet. Si një nga ekonomistët më të mirë në vend, atij iu besuan financat e shtetit që sipas Ramës ishin pothuajse 0 nga keqqeverisja e Sali Berishës. Por vetëm pas 2 vitesh e gjysmë Cani do të shkarkohej pa asnjë shkak, për t’i lënë vendin Arben Ahmetajt. Shumë vite më vonë, u kuptua se Shkëlqim Cani ishte bërë “kurban” sepse nuk donte të firmoste koncesionet korruptive të ministrave të tjerë.

Saimir Tahiri, ministri “kampion” i gjelbërimit të Shqipërisë me kanabis, e filloi punën mirë në Ministrinë e Brendshme, duke sjellë ndryshime positive në Policinë e Shtetit, por skandali me Habilajt dhe implikimi në trafikun e drogës e çuan atë drejt burgut. Edi Rama e hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe e bëri “kurban” një nga ministrat më të afërt, që sipas tij e “hëngri pas shpine”.

Ditmir Bushati, një ministër i Jashtëm shumë i përgatitur që shtetet e tjera do të kishin dëshirë ta kishin, por që mosbindja ndaj kryeministrit i kushtoi jo vetëm postin, por e largoi edhe nga Partia Socialiste. Bushati u bë “kurban” sepse vendosi interesat e Shqipërisë përpara atyre të PS-së, pasi fjalimet e tij të drejtpërdrejta nuk i pëlqyen kurrë Edi Ramës, i mësuar që ministrat t’i thurnin lavde dhe ta krahasonin me Skënderbeun.

Fatmir Xhafaj është një nga ministrat që ka qëndruar më pak në post gjatë qeverisjes 10 vjeçare të Edi Ramës. Xhafaj zëvendësoi Saimir Tahirin dhe u vendos në krye të Ministrisë së Brendshme në 24 Mars 2017, por qëndroi deri në 22 Maj të atij viti, pasi dha dorëheqjen për shkak të të vëllait, i cili në përgjimet telefonike të dosjes “Babale”, doli që ishte i përfshirë në trafikun e drogës. AI dha dorëheqjen, por ishte “kurbani” i radhës që Rama t’i shpëtonte turpit të qeverisë.

Sandër Lleshaj, ministri i ardhur si ushtarak në krye të Ministrisë së Brendshme, do të ishte “kurbani” i radhës, pas protestive disa ditore të qytetarëve në kryeqytet për shkak të vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie. I ndodhur përpara një presioni të madh, Rama e shkarkoi për të hequr çdo përgjegjësi nga vetja.

Lefter Koka, ministri i parë i arrestuar për aferën e inceneratorëve, ishte pjesë e LSI-së kur mori postin e ministrit të Mjedisit. Por pas disa vitesh ai u rikthye të jetë pjesë e PS-së, për t’u bërë “kurbani” i radhës. Afera e inceneratorëve ishte shumë e rëndë për supet e tij, ndaj ai u arrestua dhe u burgos, ndërsa Rama sërish doli në deklaratë për t’u shprehur: Përgjegjësia është individuale.

Arben Ahmetaj është “peshku” më i madh për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër-arresti deri më tani. Një nga ministrat më të pushtetshëm dhe më të akuzuar nga opozita, doli të sihte shumë i përfshirë në aferën e inceneratorëve, ndaj edhe Prokuroria kërkoi burgosjen e tij. Ahmetajn, Rama jo vetëm që nuk e mbrojti, por “gojët e liga” thonë se e hodhi vetë në rrjetën e SPAK, pqasi dyshohet se është vetë Ahmetaj që kishte shitur dokumentat e inceneratorëve.

Damian Gjiknuri është ministri i radhës i implikuar në çështjen e inceneratorëve, pasi në dosjen e SPAK gjenden dokumenta të firmosura prej tij, por edhe udhëtime dhe qëndrime në hotelet më luksoze të paguara nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e inceneratorëve të shpallur në kërkim. Terrenin për SPAK e ka përgatitur vetë Rama, pasi vetëm pak javë më parë e “zhveshi” nga çdo post në Partinë Socialiste. A do të jetë “kurbani” i radhës? Mbetet të shohim, por ka statusin ‘kandidat serioz’ për t’iu bashkuar kolegëve në qeli.

Olta Xhaçka, ministrja e Jashtme, por e përfshirë shumë në punët e brendshme, sidomos në marrjen e tokave të shtetit. Xhaçka është e përfshirë në disa skandale, por shpallja e bashkëshortit të saj si investitor strategjik është një shkelje ligji për të cilin SPAK duhet të hetojë sa më parë. A do bëhet “kurban”? Qeveria e ka mbrojtur disa herë duke mos e çuar mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese, por edhe sa do zgjasë kjo mbrojtje? Përgjigjen e ka vetëm Edi Rama.

Ilir Beqaj do të mbahet mend si një nga ministrat më moskokëçarës dhe arrogantë në kabinetin e Ramës. Jo vetëm që ka dhënë tendera abuzivë, por madje këto tendera disa herë ia ka dhënë edhe firmës së tij, duke kundërshtuar hapur ligjin. Por koncesioni i sterilizimit i ka hapur shumë punë, pasi ish-zëvendësi i tij dhe biznesmeni që përfitoi 100 milionë euro janë arrestuar. SPAK po heton edhe Beqajn, që me shumë gjasë do të jetë “kurbani” i radhës.

Erion Veliaj, i fundit por jo më pak i rëndësishmi. Hetimet për inceneratorin e Tiranës kanë bërë që SPAK të ketë në qendër të vëmendjes edhe kryebashiakun e Tiranës, i cili jo vetëm që ka firmosur, por edhe vendimet e Këshillit i ka marrë pa i mbledhur fare anëtarët. Ndoshta Veliaj do të jetë shumë i vështirë për t’u bërë “kurban”, por koha ka treguar se Rama nuk kursen asnjë për të mbrotjur veten.