Bashkimi i opozitës është rikthyer fuqishëm në qendër të debatit politik në ditët e fundit në Shqipëri, mes presionit publik, protestave dhe thirrjeve për një front të përbashkët kundër qeverisë aktuale.
Por, ftesës për bashkim nuk i janë përgjigjur të gjithë aktorët opozitarë, e një prej tyre është Partia Mundësia, e udhëhequr nga Agron Shehaj. Refuzimi i këtij të fundit për t’u bashkuar me PD-në dhe forcat e tjera opozitare ka sjellë edhe sulme të koordinuara ndaj tij.
Duke filluar nga kryedemokrati Sali Berisha, te deputetët e tjerë të PD-së dhe mbështetës demokratë, kanë dalë kundër qëndrimit të Shehajt, duke hedhur akuza nga më të ndryshmet.
Por, sulmet e fundit ndaj Agron Shehajt nuk kanë të bëjnë as me parime por me hipokrizinë e një opozite që ka humbur busullën. Të njëjtët njerëz që sot i kërkojnë Shehajt të bashkohet, janë po ata që dje e shpallën të shitur, e konsideruan si tradhtar dhe e trajtuan si armik, vetëm sepse pati guximin të thotë atë që të gjithë e dinin: Partia Demokratike, me ata drejtues, nuk vinte kurrë në pushtet.
Shehaj nuk u largua nga PD për interesa personale, por sepse pa nga brenda se ajo parti ishte kthyer në një mekanizëm të mbyllur, pa demokraci dhe pa asnjë shans real për fitore ndaj kësaj mazhorance. Dhe për këtë zgjedhje u ndëshkua duke u sulmuar publikisht, u akuzua se ishte “i shitur”, u linçua në studio televizive dhe kulmi i absurditetit u arrit kur Flamur Noka e sulmoi fizikisht në Kuvend.
Edhe në zgjedhjet e 11 majit, sulmet nuk pushuan. Shehaj u trajtua si problem, si dikush që po ndihmonte Edi Ramën, sepse nuk pranoi t’i bashkohej koalicionit opozitar apo të bashkohej me partitë e reja. Rezultati në fund i dha të drejtë: parti e re, por që arriti të fitojë besimin e qytetarëve dhe të marrë 2 mandate.
Sot, po ata njerëz që nuk lanë gjë pa i thënë, i kërkojnë të bashkohet. Jo sepse kanë ndryshuar ata, por sepse u kanë dalë llogaritë keq. Shehaj sulmohet jo sepse ka ndryshuar qëndrim, por sepse nuk ka ndryshuar kurrë. Që nga dita e parë ka thënë të njëjtën gjë: nuk bashkohem me forcat e vjetra që ndërtuan dhe ushqyen këtë sistem.
Ndërkohë, PD dhe aleatët e saj ecin me logjikën e vjetër shqiptare: “për inat të vjehrrës, shkoj me mullixhiun”. Bashkim vetëm që të krijohet iluzioni i numrave. Një strategji që ka dështuar sa herë është provuar dhe që vazhdon të prodhojë të njëjtin rezultat: humbje.
Agron Shehaj mund të pëlqehet ose jo, por një gjë nuk i mohohet dot: koherenca. Ai nuk ka ndryshuar anë sipas interesit të ditës, nuk ka kërkuar strehë te të vjetrit dhe nuk ka bërë pazar me parimet e tij. Ai ka qenë në mbrojtje të drejtësisë që në ditën e parë, duke organizuar edhe tubime për t’i dalë në krah SPAK, në një kohë ku forcat e mëdha politike nuk i kursejnë sulmet e forta dhe personale ndaj prokurorëve.
PD nuk e sulmon Shehajn pse është i dobët, por sepse ai u kujton demokratëve një të vërtetë të pakëndshme: humbjet nuk janë aksident, por pasojë e vendimeve që kjo parti ka marrë ndër vite. Pasojë e drejtuesve që nuk ikin kurrë, e strukturave që nuk reformohen kurrë dhe e një mentaliteti që e sheh pushtetin si pronë personale.
Agron Shehaj ka zgjedhur një rrugë më të vështirë. Një rrugë që mund të mos japë rezultat të menjëhershëm, por që të paktën është e ndershme. Dhe në politikën shqiptare, ndershmëria është shpesh arsyeja kryesore pse dikush sulmohet.
Pyetja nuk është pse Shehaj nuk bashkohet me opozitën, por pse opozita nuk guxon të ndryshojë, por kërkon që të tjerët të përshtaten me të. Derisa kjo të vazhdojë kështu, historia do të përsëritet: humbje pas humbjeje, justifikim pas justifikimi, dhe gjithmonë një fajtor i radhës që nuk pranoi të bëhej pjesë e lojës.
Në të njëjtën logjikë sulmi dhe përjashtimi hyn edhe Arlind Qori. Ndryshe nga Agron Shehaj, ai vjen nga e majta, çfarë e bën të pamundur çdo bashkim me opozitën. Por as kjo nuk e pengon që të trajtohet me të njëjtin standard: ose hyn në lojën e pazareve, ose shpallet i papërshtatshëm për partinë më të madhe opozitare.
Koherenca e Arlind Qorit nuk është vetëm në deklarata, pasi ai ka qenë në terren, në protesta kundër qeverisë, në mbrojtje të qytetarëve, të punëtorëve dhe të shtresave që zakonisht përdoren vetëm si slogan në fushata. Ndryshe nga shumë “opozitarë” që e zbulojnë revoltën vetëm kur humbin zgjedhjet, Qori ka qenë i pranishëm edhe kur nuk kishte kamera, edhe kur nuk kishte interesa elektorale për të fituar.
Po aq domethënëse është edhe mbështetja publike që ai i ka dhënë SPAK-ut, në një klimë ku sulmi ndaj drejtësisë është kthyer në sport partiak sa herë hetimet afrohen pranë politikës. Edhe këtu, Qori ka mbajtur të njëjtën vijë: drejtësia duhet mbrojtur kur i godet të gjithë, jo vetëm kur godet kundërshtarin.
Në fund, Agron Shehaj dhe Arlind Qori nuk janë problem sepse janë të njëjtë, por sepse janë të ndryshëm nga loja që politika shqiptare ka ndërtuar prej vitesh. Njëri nga e djathta, tjetri nga e majta, por të dy të bashkuar nga e njëjta gjë: koherenca mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë. Dhe pikërisht për këtë arsye sulmohen, injorohen ose ftohen vetëm me kushtin që të heshtin. Sepse në një sistem që mbijeton me pazare dhe aleanca “për inat të vjehrrës”, njerëzit që i qëndrojnë parimeve janë gjithmonë rreziku më i madh.