Kur Azem Hajdari i dilte kundër Berishës për Reformën në Drejtësi: Po bëhet grusht shteti

Më 17 Shtator 1992, maxhoranca e e demokratëve, vendosi krejt papritur shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm Maks Haxhia, të cilin e kishte zgjedhur pak muaj më herët me shumicë votash. Ishte koha kur diskutohej për reformat e mëdha që Shqipëria sapo kishte nisur dhe ndër më kryesoret ishte Reforma në Drejtësi.

Në atë seancë parlamentare diskutohej për Reformën në Drejtësi dhe shkarkimet e emërimet e krerëve më të lartë të sistemit të dejtësisë.  Mazhoranca ishte përfshirë ndërkohë nga luftë e brendshmë ku pak ditë më herët ishin përjashtuar ata që u quajtën mocionistë që ishin disa prej themeluesve kryesorë të PD-së. Kishte qënë në qendër të sulmeve edhe Azem Hajdari, drejtuesi i lëvizjes studentore të dhjetorit ’90 por i pati shpëtuar përjashtimit.

Megjithatë, debati i Hajdarit me pjesën kryesore të drejtuesve të maxhorancës ishte ende i nxehtë. Propozimi i ardhur nga presidenti Berisha për shkarkimin e Maks Haxhisë si prokuror i Përgjithshëm do ta vendoste edhe një herë në pozita kundërshtuese Azem Hajdarin.

“Në ecsha përpara, më ndiqni; në u kthefsha prapa, më vritni; dhe në më vraftë kush, më merrni gjakun…”, është një shprehje e cituar nga Hajdari, në fjalimin që mbajti në seancën e debatit për shkarkimin e Haxhisë.

Azem Hajdari ishte kundër disa hapave që partia e tij kishte ndërmarrë për Reformën në drejtësi, Ndër të cilët ishte dhe shkarkimi i Maks Haxhisë nga posti i prokurorit të Përgjithshëm. Ja si e argumenton ai votën e  tij kundër gupit parlamentar të PD-së përmes një fjalimi brilant në Parlament, në seancën e 17 shtatorit të vitit 1992.

“Në rast se ky parlament merr përsipër që të kryejë grushte shteti të tilla, atëherë atij duhet t’i rikujtojmë një parullë tjetër, e cila u përdor në vitin 1928 nga këmishët e zeza që thoshin: “Në ecsha përpara, më ndiqni; në u kthefsha prapa, më vritni; dhe në më vraftë kush, më merrni gjakun.” Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipëri.

Shqipëria duhet të ruhet nga parulla të tilla, si dhe nga njerëz të cilët mundohen që Shqipërisë t’i sjellin fatkeqësi të tjera. Diktatura komuniste duhet të kalojë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asnjë lloj diktature tjetër nuk mund të vendoset. Këtë ja them kujtdo që mund t’i ketë shkuar në mend. Po ashtu dhe për metodat e tjera që përdoren për këto organe.

 Unë për veten time, deklaroj votën kundër dhe mbroj deri tani atë drejtësi, e cila është zhvilluar mbi bazën e ligjit dhe denoncoj në parlament atë pjesë të drejtësisë që është bërë në emër të individëve dhe jo në emër të ligjit. Krijimi i këtij grupi parlamentar do t’i shtonte autoritetin mocionit dhe njerëzve që kishin disa diskutime konstruktive të paraqitura në këtë parlament. Presionet nga qeveria në këtë parlament, do të thotë që parlamenti të jetë mes dy organeve ekzekutive dhe forca e tij, si republikë parlamentare është e asgjesueshme nga momenti në moment.

Për hir të demokracisë, për hir të Shqipërisë për hir të drejtësisë dhe për hir të nderit që i dha këtij parlamenti i kam kërkuar dhe i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që mos ta japë dorëheqjen”.

Janë 31 vite ndërmjet atij momenti kur diskutohej për Reformën në Drejtësi dhe Shqipëria është ende në hapat e parë të kësaj reforme. Shumë ngjarje kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit e debate të panumërta janë kryer në atë sallë kuvendi për reformën në drejtësi. Por çfarë nuk e dallon një debat prej një tjetri, një qëndrim prej një tjetri, një lider prej një tjetri a një kohë prej tjetrës, është fakti se drejtësia ka qënë dhe duket se do të vazhdojë të jetë përgjithmonë vegël në duart e politikës.