I emëruari i kryeministrit të ardhshëm të Hungarisë, Peter Magyar, për postin e ministrit të Drejtësisë, Marton Mellethei-Barna, është tërhequr nga kandidatura mes kritikave për lidhjet familjare me liderin e ri të vendit.
Mellethei-Barna, i cili është kunati i Magyar, njoftoi vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se dëshironte të shmangte hedhjen e një “hijeje mbi ndryshimin e regjimit” në Hungari.
Me profesion avokat, ai është bashkëstudent universitar me Peter Magyar dhe një nga 10 anëtarët themelues të Partisë Tisza, e krijuar në vitin 2020. Ai ka shërbyer si drejtor ligjor i partisë dhe ka mbajtur disa role të tjera që kërkonin ekspertizë juridike, përfshirë përfaqësimin e Tisza-s në Komitetin Kombëtar të Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve europiane të vitit 2024.
Magyar u detyrua të mbronte emërimin e tij për shkak të lidhjes familjare mes tyre. Mellethei-Barna është i martuar me motrën e kryeministrit të ardhshëm, Anna Ilona, një fakt që Magyar e kishte cilësuar më herët si një dilemë serioze.
Kritikat ndaj kandidaturës erdhën kryesisht nga figura të partisë tashmë opozitare Fidesz, e ish-kryeministrit Viktor Orbán, e cila humbi pushtetin pasi Partia Tisza fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.
Në një video të publikuar më 7 maj në rrjetet sociale, Magyar deklaroi se qeveria e tij do të fokusohet në rikthimin e fondeve të BE-së, ringritjen e ekonomisë dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Ai shtoi se prioritet do të jetë edhe “shërimi i plagëve të dekadave të fundit”, bashkimi i kombit hungarez dhe vendosja e drejtësisë ndaj atyre që akuzohen për shkelje gjatë qeverisjes së mëparshme.
Pas tërheqjes së Melléthei-Barna, Magyar ka propozuar Márta Görög, dekane e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin e Szeged-it, për postin e ministres së Drejtësisë.
Qeveria e re hungareze pritet të betohet nesër, në të njëjtën ditë kur shënohet edhe Dita e Europës, që përkujton Deklaratën Schuman të 9 majit 1950, dokumenti që hodhi themelet e Bashkimit Europian.
Fitorja e Partisë Tisza ndaj Fidesz-it të Viktor Orbán pritet të ndryshojë marrëdhëniet e Hungarisë me Brukselin, pas viteve të përplasjeve mes qeverisë Orbán dhe institucioneve të BE-së për çështjet e shtetit ligjor dhe fondet e ngrira europiane.