EMRI/ Kultivoi bimë narkotike buzë lumit Vjosa, pranga 55-vjeçarit në Mallakastër

Një 55 vjeçar ka rënë në prangat e policisë, i akuzuar për kultivim kanabisi. Në pranga përfundoi Artur Zeka pasi u kap në flagrancë buzë lumit Vjosa, zonë ku dyshohet se kishte kultivuar 30 bimë narkotike kanabis.

Ndërkohë në lidhje me këtë rast, ka nisur procedimi penal për kryetarin e fshatit Kutë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

NJOFTIMI:

Në kuadër të planit operacional antidrogë, të koduar “Koordinata”, si rezultat i kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara te informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi A. Z., 55 vjeç, banues në fshatin Kutë, pasi u kap në flagrancë buzë lumit Vjosa, zonë ku dyshohet se kishte kultivuar 30 bimë narkotike Cannabis Sativa.

Më tej, në lidhje me këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për kryetarin e fshatin Kutë, shtetasin G. Z., 35 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.