Qeveria paraqiti të enjten tetë projektet mbi toka publike që synon t’i zhvillojë me investitorë privat në Tiranë. Ato parashikojnë ndërtime kullash, zyra qeveritare dhe një stadium të ri.
Prezantimi mbajti titullin “Ura për Shqipërinë 2030”. Kjo është pjesë e fushatës për zhvillimin e 28 pronave publike që kaluan në administrim të Korporatës Shqiptare të Investimeve, për të cilat Citizens.al ka raportuar më parë.
Lista e tetë projekteve të prezantuara:
1. “Lift Tower” – Rruga Muhamet Gjollesha
Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade
Kullë 39-katëshe me shërbime mikse për rezidencë studentësh, zyra, hoteleri dhe banim. Parashikohet të ngrihet në truallin prej rreth 2,350 metrash katrorë ku ka qenë ish-Instituti i Ndërtimit – krah Fakultetit të Inxhinierisë.
Aktualisht aty janë zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Qeveria propozon t’ia japë truallin privatit me kusht që të zgjerojë ndërtesën e Kadastrës së Tiranës krah shkollës “Harry T. Fultz”.
Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 8.5 milionë euro.
2. “Civic Land Center” – Rruga Panorama
Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade
Projekti lidhet, dhe është në varësi të zhvillimit të kullës “Lift Tower” – shpjeguar më sipër. Ai rikoncepton “nën një kapanon gjigand”, godinën 6-katëshe të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tiranë. Aty parashikohet të zhvendoset me zyra edhe ATP dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (AShSh).
Godinës i shtohen tre blloqe 8-9-10 kate që parashikohen të jenë për zyra, arkivë dhe hapësira rekreative.
Sipas Korporatës nga ky propozim për zhvillim hapësirash përfitojnë rreth 1800 punonjës të administratës publike.
3. “Tirana Void Tower” – Bulevardi Zhan D’Ark
Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI
Kompleks me 3 kulla 25 katëshe krah lumit Lana në vendin ku dikur kishte selinë Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Aktualisht aty ka zyrat Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Korporata parashikon t’ia japë privatit 2,840 metra katrorë truall të ish-ATSH-së dhe projektin e zhvillimit. Në këmbim privati duhet të ndërtojë kompleksin qeveritar në zonën e Komunës së Parisit. Parashikohen rreth 51 mijë metër katrorë ndërtim me një vlerë përfitimi kapital të përafërt me rreth 60 milionë euro.
Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 10 milionë euro.
4. “Public Administration Cluster” – Komuna e Parisit
Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI
Kompleks qeveritar në zonën e “Komunës së Parisit”. Bëhen bashkë 22 institucione në varësi të Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Arsimit, e më tej ato të Turizmit dhe Mjedisit. Përfitohen rreth 34 mijë metra katrorë ndërtim.
Projekti parashikon prishjen e bllokut të ndërtesave ku aktualisht ka zyrat Autoriteti i Aviacionit Civil. Bëhet fjalë për hapësirën mes pallateve që kufizohet nga rrugët Sulejman Delvina-Medar Shtylla-Osman Myderizi-Grigor Heba.
Hapësira rikonceptohet me 17 platforma 2 deri në 8 kate. Ato vishen nga një fasadë e rrjetëzuar me tarraca dhe hapësira publike. Ndërtimi kushtëzohet dhe varet nga zhvillimi i “Tirana Void Tower” shpjeguar më lart.
5. “Expo Albania” – Farkë
Arkitektë: Steven Holl, Agnieszka Kurant, Ateiler 4, Markgraph, ARUP, Stoss Landscape.
Qendër panairesh me hapësira fleksibël për ekspozita, koncerte, evente, logjistikë dhe rekreacion ku parashikohen zona shërbimesh për hoteleri dhe restorante. Konceptuar për t’u ndërtuar krah Bazës Ajrore të Farkës në Unazën Lindore të Tiranës.
Projekti mbulon një sipërfaqe prej 17 mijë metrash katrorë truall të Bazës së Farkës. Ai është menduar të ofrojë rreth 30 mijë metra katrorë ndërtim. U shpall fitues më 18 prill 2024 pas një konkurrimi të hapur që nisi më 29 dhjetor 2023. Grupi projektues u shpërblye me 40 mijë euro.
Ana vizuale u prezantua më 14 tetor. Koncept-ideja është pjesë e një studimi fizibiliteti të mbështetur nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS). Aktualisht nuk ka një thirrje për investitorë.
6. “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare” – Rruga Dora D’Istria
Arkitektë: XDG – Xavier De Geyter, iRI
Biblioteka Kombëtare parashikohet të ndërtohet në zonën e ish-Gardës së Republikës, në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.
Projekti nuk është bërë publik edhe pse është konceptuar që në vitin 2020. Ai shfaqet në renderët e hotelit 14 katësh që kompania “Nova Construction” po ndërton në zonë. Titullohet “Pieces, Hospitality and The New Building of The National Library”. Ai parashikon dhe ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Kjo e fundit është aktualisht duke u ndërtuar.
Nuk janë të qarta arsyet se përse vonoi ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare të re. Por Korporata përfitoi shfrytëzimin e truallit të propozuar me një VKM që u miratua po të enjten, 9 janar. Ajo e përfshiu të premten në një “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim”. Sipas saj parashikohet që bibliotekën e re ta ndërtojë privati në këmbim të një kulle pranë zonës së Qytetit Studenti.
Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitorit i kërkohet të ketë stabilitet financiar dhe mundësi likuiditeti për 8.5 milionë euro investim.
7. Kullë 25 katëshe te ish-vilat gjermane
Arkitektë: Të papërcaktuar
Kullë me funksion të shumëfishtë në rrugën Gramoz Pashko, në zonën e ish-vilave gjermane në Qytetin Studenti.
Korporata ofron 5,219 metra katrorë truall ku aktualisht ndodhen 7 vila qeveritare për t’u zhvilluar nga privati. Kusht është ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare. Ofrohet mundësia për të zhvilluar deri 60 mijë metra katrorë ndërtim. Hapësirat e propozuara janë tregtare (5%), zyra (10%), hoteleri (25%) dhe banim (60%).
Duke marrë në konsideratë një shfrytëzim trualli prej 45-50% njolla e katit mund të jetë 2,400 metra katrorë. Me këtë mund të hamendësojmë se privati mund të ndërtojë atje një kullë rreth 25 kate.
Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitori ka lirinë ta konceptojë me një ekip të tij projektin e kullës me kusht që të ndërtojë dhe bibliotekën.
8. Stadiumi Selman Stërmasi – “Tirana e Re”
Arkitektë: Të papërcaktuar
Siç kemi raportuar, Stadiumi “Selman Stërmasi” ofrohet nga Korporata si një aset për zhvillim nga investitorë privatë. Atyre u jepet e detyrueshme ndërtimi i një impianti sportiv. Në këmbim u jepet për zhvillim deri 120 mijë metra katrorë ndërtim në 57 mijë metra katrorë truall.
I përshkruar si “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi”, projekti nuk përjashton mundësinë e një stadiumi të dytë me kullët. Kjo pasi projekti i Stadiumit Kombëtar me kullë ka marrë vlerësime të larta publike nga qeveria dhe Bashkia Tiranë.
Gara me “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim” u hap më 24 dhjetor 2024 me afat 24 janarin 2025. Investitori ka lirinë ta konceptojë vetë projektin, por duhet të ketë stabilitet financiar. Gjithashtu përvojë në ndërtime të ngjashme dhe mundësi për likuiditet prej të paktën 12 milionë eurosh. Citizens.al