Kryeministri Rama takohet të mërkurën në Bruksel me shefin e NATO-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë nesër një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel.

Takimi pritet të nisë në orën 09:00 të mëngjesit dhe është pjesë e axhendës zyrtare të vizitës së Ramës në kryeqytetin evropian.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të NATO-s, pas takimit dy liderët do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për mediat.

Ndërkohë, ditën e sotme është shënuar një tjetër hap i rëndësishëm për integrimin evropian të vendit, pasi Bashkimi Evropian ka hapur negociatat për katër kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Takimi i nesërm me Sekretarin Rutte pritet të fokusohet në rolin e Shqipërisë brenda Aleancës, zhvillimet në rajon dhe çështjet e sigurisë euroatlantike.