Kryemadhi: Njerëzit e Lulzim Bashës po bëjnë biznes në Ukrainë, në Holandë po e hetojnë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka hedhur akuza të forta në drejtim të ish-kreut të PD, Lulzim Basha. Ky i fundit, sipas Kryemadhit ishte i shitur për të shkatërruar opozitën.

E ftuar në emisionin “Opinion”, Kryemadhi tha se kunati i Bashës është i përfshirë në projektin e Portit të Durrësit, teksa shtoi se njerëzit e Bashës, nëpërmjet zyrës së kryeministrit, kanë bërë biznes në Ukrainë. 

Monika Kryemadhi: Mjafton të shikosh sot xhirot e bizneseve të ish-kryetarit të opozitës, z.Basha, do të kuptoni se kush e ka blerë.

Blendi Fevziu: Pse ka biznese z.Basha?

Monika Kryemadhi: Duke filluar që nga projekti i Portit të Durrësit, për të vazhduar pastaj..

Blendi Fevziu: Është Al Abari..

Monika Kryemadhi: Po kunati i vetë (i z.Basha).

Blendi Fevziu: Z.Basha është në projektin e Durrësit?

Monika Kryemadhi: Bashkëpunëtorët e z.Basha janë ata të cilët janë pjesë jo vetëm në marketingun e shitjes së apartamenteve apo për të vazhduar dhe me projekte të tjera që nëpërmjet zyrës së Kryeministrit kanë bërë biznese pranë z.Basha në Ukrainë apo dhe me shumë projekte të tjera.

Blendi Fevziu: Në Ukrainë?

Monika Kryemadhi: Po. Patjetër. Unë asnjëherë nuk gaboj dhe nuk them gjëra që janë të pavërteta. Është një gjë që përsëri edhe historia e z.Basha, siç i erdhi Erion Veliajt radha, do t’i vijë dhe z.Basha radha. Unë shpresoj që qeveria holandeze të ketë mbaruar hetimin se me çfarë jeton bashkëshorti i znj.Basha në Shqipëri dhe me çfarë funksionon partia politike e tij.

Blendi Fevziu: Ka një investigim nga pala holandeze?

Monika Kryemadhi: E mira vonon por në fakt do të vijë një ditë ashtu siç erdhi dhe për çështjen e inceneratorit që akoma nuk është zbardhur deri në fund.

Po ashtu Monika Kryemadhi foli edhe për arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Kryemadhi tha se ishte një i afërm i Metës, që e njoftoi për arrestimin e këtij të fundit. Sipas Kryemadhit, Ilir Meta u arrestua në mënyrë të dhunshme me urdhër të Gys Agasit.

Monika Kryemadhi: Për hir të së vërtetës, ma çon një kushëri i Ilir Metës, është e vërtetë apo jo?

Blendi Fevziu: Të çoi videon apo të pyeti?

Monika Kryemadhi: Më çoi një njoftim. Sigurisht që dola dhe shkova për të parë diku në një ambient ku unë rri bashkë me fëmijët që punojmë bashkë, pamë. Ndërkohë që thoshin është edhe për ty, ndërkohë që mua s’më kishte ardhur asnjë lajm, asgjë.

Blendi Fevziu: Të çuan lajm që je dhe ti, po?

Monika Kryemadhi: Pas nja dy orësh, më morën në telefon nga OPGJ, ndërkohë doli dhe videoja e rrëmbimit të tij. Për mua sigurisht që ishte shokuese, por më shokuese është personat që e kanë bërë atë.

Blendi Fevziu: Kush janë personat që e kanë bërë?

Monika Kryemadhi: Për mua është Neritan nallbati. 

Blendi Fevziu: Sepse SPAK-u publikisht doli dhe tha që ne nuk kemi marrë pjesë në…

Monika Kryemadhi: Po, dhe vendimi i gjykatës është që arrestimin e Ilir Metës duhet ta kryejë Byroja e Hetimit. Byroja e Hetimit pastaj ia ka deleguar Policisë së Shtetit që ne në vendimin e gjykatës nuk  shikojmë një gjë të tillë. Edhe vetë në seancë, vetë prokurorët thanë që nuk e kemi bërë ne këtë proces, por për mua Neritan Nallbati, me urdhër të Gys Agasit, të famshmit…

Blendi Fevziu: Kujt?

Monika Kryemadhi: Po, po, Gys Agasi është personi që ka urdhëruar mënyrën e arrestimit të Ilir Metës.