Kriza e ujit në Iran: Teherani drejt “ditës zero”

Teherani, kryeqyteti i Iranit me rreth 10 milionë banorë, përballet me një krizë të thellë uji që mund ta çojë qytetin në “ditën zero”, momentin kur një pjesë e madhe e banesave do të mbeten pa furnizim me ujë.

Rezervuarët kryesorë të ujit po shterojnë, ndërsa autoritetet janë duke ulur presionin e ujit dhe duke bërë thirrje për kursim të menjëhershëm nga qytetarët. Aktualisht, rreth 80% e familjeve janë prekur nga reduktimi i presionit të ujit, çka ka bërë që shumë ndërtesa të larta të mbeten tërësisht pa ujë.

Sipas ekspertëve, situata ka ardhur si rezultat i dekadave të keqmenaxhimit, përdorimit të tepërt të ujërave nëntokësore dhe mungesës së balancës mes kërkesës dhe furnizimit. Irani është në vitin e pestë radhazi të thatësirës, me reshje shiu mbi 40% më të ulëta se mesatarja historike.

Qeveria ka nisur shpërndarjen e ujit me cisterna dhe po shqyrton mundësinë e një pushimi njëjavor në Teheran, me shpresën se largimi i përkohshëm i banorëve do të ulë konsumin. Në të njëjtën kohë, shumë qytetarë që kanë mundësi financiare po instalojnë depozita për ruajtjen e ujit.

Ekspertët theksojnë se kriza nuk është më vetëm mjedisore, por e lidhur ngushtë me probleme sistemike dhe politike, ndërsa paralajmërojnë se pa reforma të thella në ekonominë dhe mënyrën e menaxhimit të burimeve, dëmet do të jenë të pakthyeshme. Në këtë fazë, shpresa e vetme mbetet vjeshta dhe shiu.