Kriza e bluzave të bardha, hapen thirrjet për specializim pa konkurrim për mjek urgjence dhe familje

Ministria e Shëndetësisë ka hapur për herë të parë pa konkurim programet e specializimet për mjek urgjencë dhe mjek familje.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, njofton se afati i aplikimit për kandidatët është nga data 18 deri në 24 qershor.

Studentët të cilët do të shpallen fitues, do të paguhen me 100% të pagës së mjekut specialist gjatë gjithë kohës së studimit.

Rikujtojmë se Shqipëria është në krizë për bluzat e bardha, ku një pjesë e mirë e tyre janë larguar nga vendi. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur punësimin e detyruar në vend për studentën e mjekësisë deri në 3 vite.

Postimi:

Nëse keni mbaruar studimet për mjekësi të përgjithshme dhe jeni në kërkim të një specializimi, ju ftojmë të bëheni pjesë e skuadrës sonë të shëndetësisë në fazën e dytë të aplikimit në dy degë prioritare.

Këtë vit, për herë të parë kemi hapur programet e specializimit për “Mjek Urgjence” dhe “Mjek Familje” pa konkurim. Studentët që do të shpallen fitues, do të paguhen me 100% të pagës së mjekut specialist gjatë gjithë kohës së studimit.

Këto programe specializimi ofrojnë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin profesional dhe përmirësimin e aftësive në trajtimin e emergjencave mjekësore dhe kujdesin parësor shëndetësor.

Qëllimi ynë mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore pranë vendbanimit duke përgatitur profesionistë të aftë dhe të specializuar në këto fusha të rëndësishme.

Afati i aplikimit, nga data 18-24 Qershor.