Krisje Rama-Veliaj? Nga delegimi i Blendi Gonxhes në Tiranë te mungesa në takimin në Londër, çfarë po ndodh brenda PS-së?

Partia Socialiste duket e qetë nga jashtë, por brenda saj zien nga ambiciet për pushtet të disa zyrtarëve të saj, ku dy kryesorët janë Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.

Teksa kjo e fundit duket se e ka “betonizuar” vendin e saj krah Ramës, e kundërta po ndodh me kryebashkiakun e Tiranës, që po humbet çdo ditë e më shumë pushtet.

Skandali i drejtorëve në aferën “5D” ka lëkundur ndjeshëm pozitat e Veliajt në sytë e Ramës, pavarësisht se ky i fundit me një reagim të sforcuar i doli në krah kryebashkiakut, për të mbrojtur të dy standartin e “kumbullave pas shpine”.

Emërimi i drejtuesve politikë nxori në pah se besimi për Veliajn nuk është i njëjtë, me kryeministrin që vendosi t’i besojë qarkun e Tiranës përveç Veliajt, edhe Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun, dy nga njerëzit e tij më të besuar, por edhe nga deputetet më të votuara.

Por për çudi, vetëm pak javë më parë Rama i shtoi kryeqytetit si drejtues politik edhe Blendi Gonxhen, ish-vartësin e Belinda Ballukut, që sot drejton Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Gonxhja do të drejtojë fushatën në hambarin e votave socialiste në Tiranë, zonën e Kombinatit, të cilën e drejtoi për shumë vite Belinda Balluku. Ky veprim i Ramës hodhi dyshime se ai nuk kishte besim që Veliaj do të arrinte të mblidhte sërish votat e asaj zone, duke vendosur një njeri që e njeh mirë fushatën në atë njësi.

Ndërkohë, mungesa e besimit të Ramës ndaj Veliajt u pa edhe në takimin e kryeministrit me shqiptarët në Londër, ku morën pjesë shumë kryebashkiakë, por mes tyre mungonte Erion Veliaj.

Për Veliajn, humbja e besimit në sytë e Ramës është një goditje shumë e rëndë, për faktin se ai synon të marrë në dorë drejtimin e partisë kur kreu i qeverisë të largohet. Edhe më të rëndë e bën fakti që kundërshtarja e tij brenda partisë, Belinda Balluku, ka vendosur njerëzit e saj të besuar në disa ministri të rëndësishme.

Por problemi i vërtetë për Veliajn do të jenë vitet 2027-2029, pasi me largimin nga Bashkia e Tiranës për shkak se nuk mund të rikandidojë, do ta ketë më të vështirë të jetë në qendër të vëmendjes brenda Partisë Socialiste.

Kryebashkiaku i Tiranës do të duhet të rifitojë besimin e Ramës, në të kundërt rrezikon që karriera e tij politike në PS të përfundojë shumë më shpejt nga çfarë e kishte menduar. Në mes është edhe SPAK me hetimet për inceneratorin dhe “5D”, me “kolegët” e Veliajt që mund të jenë duke kopsitur dosjen e tij.