Krimi vret Drejtësinë! Ekzekutohet me armë zjarri brenda sallës së gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku është ekzekutuar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Një person i armatosur ka qëlluar në drejtim të tij në sallën e gjyqit, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pavarësisht se u nis me urgjencë drejt spitalit, fatkeqësisht gjyqtari Kalaja nuk ka arritur të mbijetojë.

Nga të shtënat janë plagosur edhe disa persona të tjerë, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin Gjon Shkëmbi dhe ka sekuestruar armën e krimit.

Nuk dihen arsyet që e kanë çuar autorin drejt këtij akti, teksa mësohet se gjyqtari Kalaja po gjykonte një dosje në lidhje me çështjen e pronave në Shkodër.