Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali ku një 17 vjeçar shqiptar është vrarë me thikë mbrëmjen e djeshme, pas një debati me dy persona të tjerë.
Këta të fundit, të dy minorenë janë ndaluar nga autoritetet e Pescaras, aty ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë.
Njëri prej autorëve është djali i një polici, ndërsa tjetri djali i një avokati të njohur, siç bëjnë me dije mediat e vendit fqinj.
Goditja me thikë duket se ka ardhur pas një debati, por arsyet nuk janë ende të qarta. Duket se shkak ka qenë një borxh, por ende nuk është e qartë nëse lidhej me tregtimin e drogës.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme dhe trupi i pajetë i të riut është gjetur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.