Një ngjarje makabre tronditi fshatin Frashër të Fierit, ku një burrë 56-vjeçar ka humbur jetën në rrethana të tmerrshme. Fillimisht u raportua si një vdekje natyrale, por hetimet e Policisë zbuluan një skenar të mirëorganizuar, që çoi në arrestimin e bashkëshortes dhe vajzës së viktimës.
Valbona dhe Emanilda Rama akuzohen se kanë ekzekutuar Anesti Ramën duke e mbytur me tel karikuesi, ndërsa më pas e kanë goditur edhe në pjesë të tjera të trupit.
Sipas burimeve të hetimit, krimi është kryer me paramendim dhe mëngjesin pas vrasjes, nëna dhe vajza kanë tentuar ta paraqesin si një vdekje nga shkaqe shëndetësore, por ekspertiza mjeko-ligjore dhe dëshmitë e grumbulluara nga policia zbuluan të vërtetën.
Raportohet se marrëdhëniet mes viktimës dhe familjarëve të tij kanë qenë të tensionuara prej kohësh. Sipas deklarimeve të të afërmve të Anesti Ramës, ai ishte shpesh objekt dhune nga ana e bashkëshortes dhe vajzës, një fakt që përforcohet edhe nga ndërhyrjet e përsëritura të Policisë në banesën e tyre.
Vajza e tij, Emanilda, ka pretenduar se përplasjet lindnin për shkak të natyrës fanatike të të atit, i cili, sipas saj, nuk e lejonte të dilte apo të kishte një jetë të pavarur. Ajo ishte kthyer në shtëpinë e prindërve pas një divorci.
Ndërkohë, viktima punonte në një fermë blegtorale pranë banesës, ndërsa bashkëshortja e tij, Valbona, nuk kishte një punë të përhershme. Tashmë, të dyja ndodhen në paraburgim dhe do të përballen me akuzën e vrasjes me dashje.