Një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe një gazetar web-I janë vendosur në pranga, pasi është zbuluar se në bashkëpunim publikonin lajme të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve, për të denigruar figurën e tyre.
Regina Omeri dhe gazetari Ervis Hasanga, së bashku me një Kushtrim Selimi, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kishin hapur një portal ku krijonin lajme të rreme.
Sipas policisë tre personat ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;
E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.