Kremlini ka deklaruar se bisedimet mes të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin kanë qenë “konstruktive”, ndërsa afati i vendosur nga Donald Trump për një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë po afron.
Ndihmësi për politikën e jashtme në Kremlin, Yuri Ushakov, bëri të ditur se gjatë takimit tre orësh, Putin i transmetoi Witkoff-it “sinjale” për atë që e quajti “çështja ukrainase” dhe mori “sinjale përkatëse” nga pala amerikane.
Trump ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me sanksione të rënda ose me sanksione dytësore ndaj çdo shteti apo kompanie që tregton me të, nëse Moska nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund “luftës së tmerrshme” në Ukrainë.
Përpara bisedimeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia do të fillojë të marrë seriozisht mundësinë e paqes vetëm kur t’i mbarojnë paratë. Ai përshëndeti kërcënimet për sanksione më të ashpra amerikane dhe tarifat ndaj vendeve që blejnë naftë ruse.
Megjithatë, pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta, pasi Rusia vazhdon sulmet ajrore mbi Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve të Trump për sanksione.
Tre raunde bisedimesh të zhvilluara më parë mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll kanë dështuar të sjellin përparim drejt paqes, më shumë se tre vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit nga Moska.
Kushtet ushtarake dhe politike të Rusisë për paqe vazhdojnë të jenë të papranueshme për Kievin dhe partnerët perëndimorë. Kremlini gjithashtu ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesën e Zelenskyt për një takim direkt me Putinin.
Ndërkohë, administrata amerikane miratoi të martën një paketë shtesë prej 200 milionë dollarësh për shitje armatimi ndaj Ukrainës, pas një telefonate mes Zelenskyt dhe Trump, ku të dy diskutuan edhe mbi bashkëpunimin në mbrojtje dhe prodhimin e dronëve.
Ukraina ka përdorur dronët për të goditur rafineritë dhe objektet energjetike ruse, ndërsa Rusia është fokusuar në sulme ajrore ndaj qyteteve ukrainase.