KQZ shpërndan fondet paszgjedhore për partitë e reja, përfitojnë edhe “Euroatlantikët”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë fondet paszgjedhore për partitë e reja që morën pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe arritën të merrnin të paktën 1% të votave në gjithë vendin.

Janë 4 parti që kanë përfituar në total 127 milionë lekë të vjetra, 3 prej të cilave arritën të merrnin edhe mandate, ndërsa Koalicioni Atlantik nuk arriti të siguronte votat e nevojshme.

Nga fondi i KQZ-së, Partia Mundësia do të përfitojë 46 milionë lekë të vjetra, Partia Lëvizja Bashkë do të përfitojë 23 milionë lekë, Lëvizja Shqipëria Bëhet do të marrë 38 milionë lekë dhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës do të përfitojë 19.6 milionë lekë.

Këto parti nuk përfituan fonde parazgjedhore ashtu si partitë e tjera, ndaj edhe KQZ argumenton se këto parti do të përfitojnë kompensim paszgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin t’u kompensojë fonde nga Buxheti i Shtetit atyre subjekteve zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi në zgjedhjet e datës 11 Maj 2025”, thuhet në dokumentin e KQZ-së.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 Majit 2025, Partia Socialiste arriti të siguronte mandatin e katërt qeverisës me 83 mandate, ndërsa PD mori vetëm 50 mandate. 3 mandate shkuan për PSD-në e Tom Doshit, teksa nga partitë e reja rezultatin më të mirë e pati Partia Mundësia me 2 mandate deputetësh.

Lëvizja Bashkë dhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet arritën të merrnin nga 1 deputet në qarkun e Tiranës.