Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit, pasi sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill.
Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita. Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
Por, sipas Osmanit, përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit.
“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani.
Osmani ka thënë se do t’i shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve me krerët e partive politike.
“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por. këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme”.
Sipas saj, zvarritjet do të krijonin situata tjera edhe më të rrezikshme.
“Pa qartësi kushtetuese, një proces i zvarritur pa fund, siç e kemi parë edhe më 2025, dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij”.
Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë Osmani ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.
Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta.
“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.
Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.