Korrupsioni në Shqipëri është një nga problemet kryesore, por ajo që e bën më të rëndë është fakti se korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike bëhen edhe nga institucionet e dijes.
Në Akademinë e Shkencave, Universitetin e Shkodrës dhe atë të Elbasanit janë pezulluar dhjetëra punonjës, pas një hetimi administrativ nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Kapitali.al, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës janë konstatuar shkelje në 9 tendera, çfarë ka sjellë marrjen e masave disiplinore për 20 punonjës të këtij institucioni.
“Në bazë të nenit 23/e dhe nenit 132, pika 3, të Ligjit Nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, APP vendosi të propozojë marrjen e masës disiplinore ndaj 20 (njëzet) personave, të evidentuar përgjegjës për shkelje dhe mangësi të konstatuara në vendim,” thuhet në raportin e monitorimit.

Edhe hetimet në Elbasan kanë sjellë marrjen e masave disiplinore për 8 punonjës, pasi janë përfshirë në shkelje në tendera.
“Në mbështetje të neneve 23/e dhe 132, pika 3, të Ligjit Nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, APP vendosi t’i propozojë titullarit të Autoritetit Kontraktor, marrjen e masës disiplinore ndaj 8 (tetë) personave, të evidentuar përgjegjës për mangësi të konstatuara në vendim,” zbulon APP.
Nuk kishte si të mungonte në këto hetime edhe Akademia e Shkencave e drejtuar nga Skënder Gjinushi, për të cilin mazhoranca ndryshoi edhe ligjin për t’i dhënë mundësinë e një mandati tjetër në krye të këtij institucioni.
Sipas APP-së, në Akademinë e Shkencave është abuzuar në të paktën 3 tendera publikë, ndaj është marrë masë administrative për 7 punonjës.
“Në bazë të neneve 23/e dhe 132, pika 3, të Ligjit Nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, APP vendosi t’i propozojë titullarit të Autoritetit Kontraktor, marrjen e masës disiplinore ndaj 7 (shtatë) personave, për mangësi të evidentuara në vendim,” thuhet në raportin hetimor të APP për Akademinë e Shkencave.

Mjaftojnë pak hetime për të nxjerrë në pah korrupsionin dhe vjedhjet që u bëhen taksave të qytetarëve shqiptarë, nga institucione që duhet të japin dije, por që duket se parësore kanë zhvatjen e qytetarëve.