Korça, Parisi i vogël i Shqipërisë që po “bie në gjumë” ditë pas dite

Sa herë pëmendim Korçën, mendja na shkon te shprehja “Parisi i vogël i Shqipërisë”, pasi Korça ishte një nga qytetet më të zhvilluar në Shqipëri përpara dhe gjatë komunizmit.

Me Fabrikën e Birrës që në vitin 1929, Manifakturat e përpunimit të produkteve bujqësore, Fabrikat e Alkoolit dhe Centralet elektrike, shkollat e shumta si Liceu Francez, uzinat e ndryshme dhe Kombinatin e Trikotazhit, ky qytet i ngjasonte më shumë një rajoni të zhvilluar në Perëndim, sesa një qyteti në Shqipërinë e vogël komuniste. Madje, qyteti kishte 5 dogana dhe ofronte transport ajror nëpërmjet ”Adria Aero Lloyd”, që transportonte qytetarë me avionë me helikë në destinacionet drejt Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës, ndërsa më pas edhe drejt Romës e Selanikut.

Por e kundërta ndodhi pas komunizmit. Ata që erdhën në pushtet nuk u kujdesën për Korçën siç duhej, duke shkatërruar fabrikat, bujqësinë dhe gjithçka të ngritur më së miri për vite me radhë. Pas vitit 2000 Korça do të përdorej vetëm si njjë atraksion turistik, me fshatrat e bukur ku biznesmenët i kthyen në agroturizëm.

Kaq! Asgjë më shumë për një qytet me potenciale të pakrahasueshme, por me drejtues të paaftë për t’i shfrytëzuar mundësitë që ky qytet ofron. Premtimet kanë qenë të shumta, ashtu siç ndodh në çdo fushatë, por asnjë i mbajtur. Sot Korça mbushet vetëm në disa fesat të vogla, si ajo e Birrës, por që nuk mjafton për t’i dhënë këtij qyteti rëndësinë që meriton.

Ditë pas dite ky qytet po bie në një gjumë letragjik, ndaj bëhet thirrja që dikush duhet ta zgjojë, për të mos e vijuar shkatërrimin e një qyteti që dikur krahasohej me Parisin, ndërsa sot “vajton” në kujtimet e viteve të shkuara.