Konsumuan karamele, tre fëmijë të mitur përfundojnë në spitalin e Korçës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Korçës. Tre tfëmijë, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç, janë dërguar në Pediatrinë e Spitalit Rajonal rreth orës 18:15, pasi kanë shfaqur shqetësime shëndetësore.

Sipas deklarimeve të familjarëve, fëmijët dyshohet se kanë konsumuar disa karamele të gjetura në rrugë, pranë një koshi mbeturinash.

Aktualisht, ata po marrin trajtimin mjekësor të nevojshëm dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet të bëhet analizimi i lëndës së konsumuar për të përcaktuar përbërjen dhe rrezikshmërinë e saj.