Autoritetet iraniane kanë konfirmuar vdekjen e liderit suprem, Ali Khamenei, i cili sipas mediave shtetërore u vra në zyrën e tij gjatë sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
Konfirmimi erdhi të dielën, pasi më herët zyrtarë amerikanë dhe izraelitë kishin raportuar për vrasjen e 86-vjeçarit. Agjencitë iraniane Tasnim dhe Mehr kishin deklaruar fillimisht se Khamenei mbetej “i palëkundur dhe i vendosur në drejtimin e operacioneve”.
Qeveria iraniane ka shpallur 40 ditë zie për liderin që udhëhoqi vendin që nga viti 1989. Khamenei mori drejtimin e Republikës Islamike pas vdekjes së Ruhollah Khomeini, udhëheqësit të Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Si lider suprem, ai mbante autoritetin më të lartë mbi të gjitha degët e pushtetit, forcat e armatosura dhe sistemin gjyqësor, si dhe konsiderohej udhëheqësi shpirtëror i vendit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi në platformën e tij “Truth Social” se Khamenei u vra gjatë sulmeve të nisura herët të shtunën.
“Ai nuk arriti t’u shmangej sistemeve tona të sofistikuara të gjurmimit dhe inteligjencës. Duke bashkëpunuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai apo liderët e tjerë të vrarë së bashku me të mund të bënin”, shkroi Trump.
Ai e cilësoi momentin si “mundësinë më të madhe që populli iranian të rimarrë vendin e tij”, duke shtuar se shpreson që Garda Revolucionare Islamike (IRGC) dhe policia të bashkohen paqësisht me patriotët iranianë.
Sipas mediave iraniane, që citojnë Gjysmëhënën e Kuqe, sulmet e së shtunës prekën 24 provinca dhe lanë të paktën 201 të vdekur.
Ndër objektivat e goditur ishin edhe dy shkolla. Në shkollën fillore për vajza “Shajareh Tayyebeh” në qytetin jugor Minab raportohen të paktën 108 viktima, ndërsa dy të tjera u vranë në një shkollë në lindje të Teheranit.
Netanyahu deklaroi se shumë figura të larta u eliminuan gjatë valës së sulmeve, duke përfshirë komandantë të Gardës Revolucionare dhe zyrtarë të lartë të programit bërthamor iranian.
Nga ana tjetër, Trump paralajmëroi se bombardimet e rënda dhe të sakta do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi se valët e treta dhe të katërta të sulmeve hakmarrëse ndaj pozicioneve amerikane dhe izraelite ishin në zhvillim. Kundërsulmet iraniane aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore në disa shtete ku ndodhen baza amerikane, përfshirë Kuvajtin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.