Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për shembjen e disa rrugëve në vend.
Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kërkonin ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”.
“Argumenti se kontratat janë subjekt i drejtësisë dhe se nuk mund të ketë komision hetimor nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2014, shprehet se fakti që organet e tjera kushtetuese përmbushin detyrat e veta nuk mund të shërbejë kurrsesi si argument për të refuzuar ushtrimin e detyrave nga Parlamenti.
Ne nuk po kërkojmë të bëjmë punën e prokurorisë, por të verifikojmë kontratat, të konstatojmë problematika, qoftë edhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet, dhe të bëjmë propozime ligjore.
Dhe e përsëris, ju e keni detyrim kushtetues ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja çështje ku ju mund të pretendoni është objekti, formulimi i objektit. Ne jemi të hapur për propozimin tuaj në lidhje me objektin, nëse keni. Por nuk dëgjova që ju keni një formulim alternativ”, tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Po ashtu në mbledhjen e sotme, u rrëzua edhe kërkesa tjetër e PD, për ngritjen e komisionit hetimor për veprimtarinë e AKSHI-t, pas skandalit me tenderët që ka përfshirë këtë institucion.