KONCESIONI I STERILIZIMIT/ SPAK zbulon korrupsionin dhe arreston ish-zv.ministrin e biznesmenin që përfitoi, 76 milionë euro të zhvatura nga shqiptarët

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar korrupsionin që është bërë me tenderin e sterilizimit të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, kur në krye të institucionit qëndronte Ilir Beqaj.

Në 10 Dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë lidhi një kontratë koncesionare me vlerë 100 milionë dollarë me kompaninë “Sani Service” L51910021C “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Që në fillim kjo marrëveshje u duk e dyshimtë, pasi konkurrentët e tjerë që u futën në garë e kundërshtuan procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese, pasi dyshonin se kjo kompani e zotëruar nga biznesmeni Ilir Rrapaj, ishte paracaktuar si fituese.

Dje, 8 vite pas nënshkrimit të kontratës, Prokuroria e Posaçme arrestoi biznesmenin Ilir Rrapaj për akuzën e mashtirmit, ndërsa sot në pranga ra Klodjan Rjepaj, ish-ministri i Sëhndetësisë, i cili mbante postin e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Por kush është Ilir Rrapaj që do të përfitonte 100 milionë euro nga buxheti i shtetit?

Deri në vitin 2013, Rrapaj ishte një biznesmen i panjohur, pronar i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë, me vetëm një të punësuar. Pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, ai ia doli të merrte tenderin 100 milionë dollarë.

Janë miliona euro të zhvatura nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, por në raportin e dorëzuar në Tatime, kompania e Ilir Rrapajt herë e mbyllte me fitim dhe herë me humbje, për të fshehur të ardhurat. (shih tabelën më poshtë).

Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për paketimet. Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde sipas tyre.

Në total, koncensionari i sterilizimit ka marrë 76 milionë euro nga Buxheti i Shtetit nga nisja e operimit të tij në vitin 2015.

Ndërkohë, këto janë urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK për këtë aferë:

Arrest me burg
Klodjan Rjepaj, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë
Ilir Rrapaj

Arrest shtëpie
Saimir Kadiu drejtor ekonomik
Marsela Serjanaj drejtoreshe juridike

Detyrim paraqitje
Arben Gjata
Pertef Mersini
Genc Burazeri
Naile Ajazi