Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka sugjeruar SPAK që të kryejë hetim pasuror ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ky i fundit dyshohet se ka favorizuar mikun e tij Ilir Rrapaj për të marrë tenderin e sterilizimit, në një vlerë prej 100 milionë dollarësh, pavarësisht se kompania e tij kishte vetëm një punonjës.
“E gjithë veprimtaria e paramenduar kriminale e planifikuar në detaje nga personat nën hetim, është bërë thjesht për shkak të marrëdhënieve të ngushta shoqërore të personit nën hetim Ilir Rapaj me personin në hetim Klodian Rjepaj, si dhe për shkak të njohjeve personale të këtij shtetasi dhe shtetasit italian Umbro Staçini me ish Ministrin e Shëndetësisë z.llir Beqaj apo është rrjedhojë e përfitimit të parregullt që rrjedhë nga korrupsioni i zyrtarëve që kanë marrë pjesë në këtë procedurë. Për këtë nevojitet një hetim pasuror”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Gjithashtu nën hetim do të merren edhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Këri, Spiro Kuro, Leonard Grashi dhe Hektor Balluku për shpërdorim detyre. Nën hetim ndodhet edhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, pork y i fundit i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij.
Në burg për koncesionin korruptiv të sterilizimit ndodhet ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, përfituesi i tenderit 100 milionë dollarë.