Ishin mbledhur për të protestuar, por egoja e tyre për protagonizëm publik u duk qartë edhe në kauza që prekin jetën e qytetarëve.
Grupimet e Adriatik Lapaj dhe Arlind Qorit janë përplasur mes tyre në protestën, që u mbajt para Ministrisë së Brendshme.
Protesta ishte thirrur pas ngjarjes së rëndë, ku një polic tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i 11-të i pallatit ku banonte.
Ai ishte pjesë e grupit, që arrestoi djalin e biznesmenit të njohur, Samir Mane. Djali i këtij të fundit përplasi disa motomjete para Kuvendit të Shqipërisë.
Qëllimi i kësaj proteste ishte që Policia dhe Prokuroria të reagojnë dhe të sqarojnë deri në fund ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion ndaj policit Azbi Spahiu.
Por, nevoja për protagonizëm e Lapajt dhe Qorit ka çuar në përplasje verbale mes dy grupimeve.
“Komunistët nuk bëhen njerëz”, tha Adriatik Lapaj.
Përfaqësuesit e Qorit në kundërpërgjigje të këtij etiketimi, u shprehën si vijon: “Kushdo që synon të marrë fjalën me dhunë, po bën lojën e Samir Manes. Po prish protestën, po shfaq protagonizmin e tij, nuk ka vend për protagonizëm”, theksoi njëri prej anëtarëve të grupimit të Arlind Qorit.