Komisioni “TIMS” mbyll sërish dyert, pranohet kërkesa e ish-përgjegjësit të IT në Policinë e Shtetit për të dëshmuar pa praninë e medias

Është mbledhur këtë të martë Komisioni Hetimor për TIMS, ku pritet që të dëshmojnë Ardit Muço, Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit, Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit si dhe Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.

Ardit Muça ka kërkuar që dëshmia e tij të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak të informacioneve të klasifikuara.

‘Mbrojtja e të drejtave të mia për respektimin e jetës private, për garantimin e sigurisë time fizike, si dhe për shkak të informacioneve të klasifikuara’- ka deklaruar ai.

Demokratët, me në krye kryetarin e këtj komisioni Ervin Salianji ishin kundër kërkesës duke u shprehur që të vijohej me dyer të hapura. “E keni ves t’i bëni punët në errësirë”- tha mes të tjerash Salianji.

Megjithatë, kërkesa u hodh në votim dhe me 8 vota pro u vendos që Muça të dëshmojë pa praninë e mediave.

Rikujtojmë se edhe javën e kaluar Ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Drejtorisë së IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, dëshmuan me dyer të mbyllura.