Drafti i Kodit të Ri Penal që ëhstë hedhur për diskutim përmban mbi 2300 herë fjalët “burg” ose “burgim”, duke na kthyer pas në kohë në vitet e komunizmit, ku dënimet me burg ishin mjete shtypëse për çdo shkelje, madje edhe për ato të lehta.
Por, nëse për qytetarët janë shtuar dënimet me burg edhe për veprat penale, e kundërta ndodh me zyrtarët e administratës.
Këta të fundit do të dënohen më pak nëse kryejnë shkelje sipas Kodit të Ri Penal, pasi ministri Ulsi Manja dhe grupi i tij që kanë hartuar këtë Kod ka menduar t’i amnistojë.
Vepra penale “shpërdorim detyre” me Kodin aktual dënohet me burgim deri në 7 vite, ndërsa me Kodin e ri Penal, dënohet me burgim deri në katër vjet.
Si është:
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Si do bëhet:
1. Zyrtari publik, i ngarkuar drejtperdrejt apo terthorazi, me administrimin e fondeve publike, që synon, me dashje dhe qellim kriminal, t’i shkaktojë dëm ekonomik veprimtarisë së institucionit të tij apo një personi tjetër, ngaqë:
a) ushtron kompetencat në mënyrë të paligjshme;
b) tejkalon autoritetin e tij ligjor duke perdorur fondet jashte destinacionit te tyre, ose
c) krijon pengesa për të përmbushur një detyrë që rrjedh nga tagrat e tij ligjorë ose nga një vendim gjyqësor, kur veprimi nuk përbën ndonjë vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim deri në katër vjet.
2. Termi “ligj” i përdorur në paragrafin e parë të këtij neni do të kuptojë aktin e nxjerre nga organi legjislativ qendror apo vendor ne perputhje me kompetencat qe Kushtetuta apo ligjet organike te vendit u kane ngarkuar atyre per te vepruar.
3. Nëse vepra e mësipërme kryhet në dëm të personave në nevojë, të pambrojtur, apo nisur nga motivimi politik, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Edhe neni për “kryerjen e veprimeve arbitrare” ka pësuar ndryshime, pasi nga dënimi deri në 7 vite burg, do të kthehet në dënim deri në 4 vite.
Si është:
Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.
Si do bëhet:
Dhënia e urdhrave ose kryerja e veprimeve arbitrare nga ana e zyrtarit publik ose atij që kryen një shërbim publik, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve ose krijojnë pasoja në ushtrimin apo gëzimin e tyre prej shtetasve, ose që cenojnë rëndë besimin e shtetasve në institucionet publike, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.
Por pse janë bërë këto ndryshime për uljen e dënimit për zyrtarët e korruptuar të administratës?
Në 12 vite qeverisje, Edi Rama ka parë t’i arrestohen qindra zyrtarë të administratës, përfshirë edhe disa nga njerëzit e tij më të afërt, si Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Lefter Koka apo Vangjush Dako. Të gjithë këta janë burgosur për “shpërdorim detyre”, e njëjta vepër penale që me Kodin e Ri do të dënohet me më pak vite burg.
Por Rama nuk mund të lejojë më që zyrtarët e administratës të shkojnë një nga një para drejtësisë vetëm se kanë shpërdoruar “pak” detyrën, duke grabitur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kështu që ky Kod i Ri Penal do t’i amnistojë ata, duke shmangur shumë skandale të tjera të qeverisë.