Prej disa ditësh në vend ka diskutime të shumta sa i takon draftit te Kodit të ri Penal, ku Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela doli kundër duke argumentuar se rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.
Në draftin e prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Drejtësisë përfshihen ndryshime edhe për kontrollin teknik të mjeteve.
Në nenin e draftit të Kodit të Ri Penal thuhet se moskryerja e kontrollit teknik të mjeteve motorike apo në kundërshtim me ligjin do të konsiderohet kundërvajtje penale dhe për pasojë dënohet me gjobë ose deri në dy vite burg.
“Moskryerja e procedurave të kontrollit teknik të mjeteve motorike, apo kryerja e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nga personi i cili ka për detyrë ta kryejë atë, kur kanë krijuar apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve gjatë qarkullimit rrugor ose, kur kanë sjellë ndotjen tej normave të lejuara të ajrit, ujërave apo tokës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, thuhet në nen.