Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako lidhur me shkeljet e gjetura nga auditimi i KLSH-së dhe i bën thirrje SPAK që të nis hetimet.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli në një deklaratë për mediat, thotë se raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon disa shkelje administrative, financiare dhe ligjore, të cilat përfshijnë ushtrim aktivitetesh pa kontrata qiraje, zbatim të paplotë të vendimeve për ndërtime pa leje dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
Lidhur me këto shkelje, PD nënvizon se KLSH ka dhënë 39 masa organizative; 7 masa për shpërblim dëmi; 7 masa për masa për uljen e borxhit tatimor; 3 masa për eleminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike; 39 masa disiplinore duke filluar nga vërejtja deri tek largimet nga puna, por edhe largimi nga shërbimi civil.
Sipas Vangjelit, denoncimet e vijueshme të PD për performacën e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako, i ka vërtetuar plotësisht Kontrolli i Lartë i Shtetit.
DEKLARATA E GENTA VANGJELIT:
Denoncimet e vijueshme të PD për performacën e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako, i ka vërtetuar plotësisht Kontrolli i Lartë i Shtetit , i cili në raportin e fundit të auditimit (2024) ku vetëm për vitin 2022 ka identifikuar:
1. Bashkia Durrës, ka lejuar ushtrim aktiviti nga subjekte private në pasuri shtetërore pa Kontratë-Qiraje;
2. 34 raste ku edhe pse ka procesverbal konstatimi për ndërtime pa leje, nuk është vjiuar procedura brenda afatit për nxjerrjen e vendimit për “Prishje Objekti të Kundërligjshëm“ dhe vendimit për “Dënim me Gjobë“;
3. Nga 119 vendime për “Prishje e Objektit të Kundërligjshëm“, janë të ekzekutuara vetëm 25 vendime;
4. “Urdhërat e Ekzekutimit“ për prishjen e objektit të kundërligjshëm, nuk zbatohen duke vijuar me prishjen e objekteve me justifikimin se mjetet ekskavator mund të dalin jashtë përdorimit gjatë procesit të ekzekutimit
5. Vendime “Për Dënimin me Gjobë“ të pa likujduara.
6. Detyrime në vlerën 7.3 milion euro, dhe për pakësimet e tyre nga Bashkia Durrës nuk administrohet asnjë dokument për vlerën e pakësuar;
7. Kontrata qiraje të cilat nuk zbatohen por tejkalojnë hapsirat publike të përcaktuara në to duke sjellë mungesë të ardhurash;
8. Administrimi dhe mbledhja e taksave dhe tarifave vendore në mosrespektim të menaxhimit financiar dhe kontrollit;
9. Nga auditimi i 6 procedurave të prokurimit publik gjatë vitit 2022 me vlerë totale 5.2 milion euro, janë gjetur shkelje për përllogaritje të gabuar e fondit limit, hartim i kritereve për kualifikim të paargumentuara, janë skualifikuar padrejtësisht OE me ofertat më të ulëta, dhe janë kualifikikuar OE të shpallur fitues në mospërmbushje të kritereve të kualifikimit;
10. Nga auditimi i zbatimit të punimeve të ndërtimit të 7 kontratave për punë publike, me vlerë totale prej 2.8 milion euro, rezultuan punime ndërtimi të pakryera;
11. Përdorim pa efektivitet të fondeve në Bashkinë Durrës;
12. Taksat e ndikimit në infrastrukturë janë përllogaritur në mënyrë të parregullt;
13. “Depozitimi i mbetjeve urbane”, me vlerë të kontratës 2.8 milion euro pa tvsh , realizuar nga OE “Integrated Energy BV spv ” (për 12 muaj), rezultoi se në kontratë nuk ekzistojnë specifikime teknike të detajuara, nuk ka një peshore dhe as persona përgjegjës për peshimin e mbetjeve para transportit për në Landfill-in e Sharrës, duke mbartur riskun për shifra fiktive të ardhura nga Furnizuesi dhe për pagesa të pajustifikuara.
14. Bashkia Durrës, përfaqësuar nga titullari institucionit, si personi i ngarkuar nga ligji, nuk ka kryer ekzekutimin e Vendimit Gjyqësor të Formës së Prerë.
15. Titullari i Bashkisë Durrës nuk ka ngritur komision për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve, duke sjellë si pasojë moskryerjen e procedurës së nxjerrjes jashtë përdorimi dhe asgjesimit të aktiveve etj…
Për sa më lart KLSh ka dhënë :
– 39 masa organizative;
– 7 masa për shpërblim dëmi;
– 7 masa për masa për uljen e borxhit tatimor;
– 3 masa për eleminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike;
– 39 masa disiplinore duke filluar nga vërejtja deri tek largimet nga puna, por edhe largimi nga shërbimi civil.
Çfarë duhet të bëjë më tepër Emirjana Sako …..
Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të KB së Durrësit Emirjana Sako dhe kërkon nga SPAK nisjen e hetimit për të gjitha shkeljet e identifikuara më lart.