Klodian Braho: Po mendojmë një model të ri që SPAK t’i kryejë vetë arrestimet

Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ngriti shqetësimin për vështirësitë në ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj personave në kërkim. Ai tha se aktualisht, SPAK nuk ka kapacitete operacionale të bëjë sot arrestime të personave në kërkim.

Megjithatë ai zbuloi se SPAK po shqyrton një qasje të re institucionale që do t’i mundësonte të ndërmarrë vetë veprime të caktuara operacionale.

“Nuk ka kapacitete operacionale që SPAK të bëjë sot arrestime të personave në kërkim. Siç është fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Sepse edhe ne kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë, apo të dënuar në mungesë, dënime të cilat nuk janë ekzekutuar.

E kemi ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. Nuk mund të themi nëse është me dashje apo nga pamundësia, ama rezultati është i dukshëm.

A kemi një strategji? Është herët, nuk dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them, është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Braho.