Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një platformë elektronike për të gjithë zgjedhësit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit për zgjedhjet e 11 Majit. Përmes kësaj paltforme, ata do te mund mund të ankohen në rrugë gjyqësore dhe të gjejnë zgjidhje brenda 48 orësh.
Kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të dërgohen në adresën zyrtare [email protected].
KLGJ thotë se do të jetë Gjykata e Tiranës e vetmja gjykatë në rang vendi që do të shqyrtojë kërkesat e shtetasve që jetojnë jashtë vendit.
Vendimi i KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 147 dhe 147/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 25 pika 8 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, në nenin 10 të Kodit të Procedurave Administrative, në nenin 61 pika “ë”, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në nenin 36, të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në vendimin nr. 23, datë 24.01.2024 “Për krijimin e “E-Mail Server” për postën elektronike zyrtare të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimit nr. 354, datë 11.07.2024 “Për miratimin e rregullores “Për përdorimin e postës elektronike zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Sistemin Gjyqësor” me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit,
VENDOSI:
Miratimin e platformës elektronike “Microsoft Exchange Server” për paraqitjen e kërkesave edhe online për zgjedhësit që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të dërgohen në adresën zyrtare [email protected].
Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, edhe nëpërmjet platformës elektronike “Microsoft Teams”, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve.
Ngarkohet Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe hyn në fuqi në datën e botimit në Fletoren Zyrtare.