Elton Qyno
Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka rihapur sërish një tender të anulluar nga Komisioni i Prokurimeve Publike, në fund të muajit Maj 2023, pas dyshimeve të forta se KLGJ kishte favorizuar një subjekt tregtar, duke e shpallur fitues.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi më i lartë qeverisës në hierarkinë e sistemit gjyqësor. Praktikisht institucioni në majën e luftës kundër korrupsionit.
Akuzat zyrtare dhe të drejtëpërdrejta për paracaktimin e fituesit në tenderin për kamerat janë një njollë jo e vogël për imazhin e institucionit që duhet të jetë model në luftën kundër korrupsionit.
Tenderi rezulton të jetë hapur në 29 gusht, ndërsa afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave është caktuar data 29 Shtator 2023.
Ndryshe nga hera e parë, ku vlera financiare e tenderit ishte përcaktuar në shifrën 372 milionë lekë të reja, në rihapjen e dytë të procedurës, vlera financiare është ulur në 144 milion lekë të reja.
Ndryshe nga herën e parë janë 228 milion lekë që Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mënyrë të çuditshme ka vendosur të mos shpenzojë në këtë procedurë tenderuese për blerjen e paisjeve elektronike.
Përmes këtij tenderi, drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, synon të nxjerë jashtë loje pajisjet e vjetra të sigurisë, në 20 Gjykatat e vendit si dhe të futë në shërbim sisteme të reja kamerash dhe paisje audio për rregjistrimin e seancave gjyqësore.
Të gjitha sallat e gjyqeve në Shqipëri, do përditësohen me programet e reja të regjistrimit digjital audio dhe video.
Procedura ka si synim të ndërtojë dhe një qendër monitorimi në KLGJ, me qëllim monitorimin e sistemit të 20 gjykatave nga një sallë e vetme.