Institucionet e Drejtësisë, me përjashtim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë refuzuar njëzëri ftesën e bërë nga socialistët që të bëhen pjesë e Komisionit “Antikorrupsion” që drejtohet nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Së fundmi ka qenë Këshilli i Lartë Gjyqësor që në një reagim thotë se nuk do të dërgojë ekspertë në komision, por janë të hapur për të dhënë opinione.
Por ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera, si SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që të caktojë dy ekspertë në këtë komision.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se ka caktuar Arta Mandro, anëtare e KLP nga shoqëria civile dhe Vate Staka nga radhët e prokurorëve, në Komisionin “Xhafaj”.
“Nisur nga zhvillimet e fundit dhe interesimin e media në lidhje me qëndrimin e KLP-së mbi Komisionin e Posaçëm, ju njoftoj se gjatë mbledhjes se dt. 16.08.2024, është diskutuar për përfaqësimin e institucionit në këtë komision.
Siç jeni njohur edhe me njoftimin zyrtar të kësaj mbledhjeje, është diskutuar parimisht, më pas gjatë ditës së hënë, në mbledhje informale është dakordësuar për t’u përfaqësua e me 2 emra; znj. Arta Mandro, anëtare jo prokurore dhe Vate Staka anëtar prokuror”- thuhet në njoftim.