Pallati i Kongreseve është një monument kulture, por kjo nuk do të thotë asgjë për socialistët e pushtetit, të cilët duket se janë të vendosur që të shembin çdo ndërtesë historike për t’ua dhënë hapësirën oligarkëve të ndërtojnë kulla.
Pas nxjerrjes në ankand të bregdetit, maleve dhe kalave shekullore të mbrojtura me ligj, sot Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë për të shembur një tjetër godinë historike, Pallatin e Kongreseve.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 13:00 dhe socialistët me shumicë votash do të votojnë për të fshirë një tjetër kujtesë historike të Tiranës, pasi shembën godinën e Teatrit , me vendin tonë që është i vetmi në Ballkan pa një Teatër Kombëtar.
Por duket se Pallati i Kongreseve nuk do të jetë i fundit, pasi sipas këshilltares bashkiake të opozitës, njëkohësisht edhe moderatoe, Beti Njuma, radhën do ta ketë godina e TVSH-së. Këto godina historike do t’ua lënë vendin kullave, që vijojnë të ndërtohen kudo në kryeqytet.
“Sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në orën 13.00 radhën e shembjes e ka Pallati i Kongreseve. Me shumicë votash socialistët do t’i vënë buldozerin një tjetër objekti që përfaqëson kujtesën historike të Tiranës. Kryeqyteti duhet të mbetet pa memorje. Objekt pas objekti, godina që mbajnë historinë tonë po zhbëhen për t’ia lënë vendin kullave dhe harresës.
Sepse një qytet pa kujtesë, është më e lehtë ta komandosh. Godina e radhës do të jetë TVSH-ja”, shkruan ajo.
Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë Korporata e Investimeve Shqiptare e nxori në ankand Pallatin e Kongreseve, për shkak se sipas tyre kishte nevojë për përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës.