Këshilli Bashkiak i Durrësit vendos, parkim me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të qytetit bregdetar

Parkimi i automjeteve në rrugët kryesore të qytetit të Durrësit nuk do të jetë më falas, por do të bëhet me pagesë.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar mes debateve projektvendimin për parkimin me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të qytetit bregdetar, përfshirë edhe rrugën Pavarësia, të plazhit të madh.

Ky projektvendim, që prek banorët e këtij qyteti, por edhe pushuesit e shumtë që e frekuentojnë gjatë gjithë vitit, u miratua me 24 vota pro dhe 12 kundër.

Kanë qenë këshilltarët e opozitës, të cilët votuan kundër dhe që në fillim e kanë kundërshtuar vendimin.

Nuk dihet ende se kur do të nisë të aplikohet parkimi me pagesë i mjeteve, por në relacionin e bashkisë përcaktohet qartë ndarja mes dy zonave të administrimit të parkimit (ZAP).

Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale.

Rrugët e destinuara për parkim në rrugë me pagesë që përfshihen në zonën A, janë si më poshtë:

  1. Rruga “Taulantia”
  2. Rruga e “Currilave”
  3. Bulevardi “Epidamn”
  4. Bulevardi “Dyrrah”
  5. Rruga “Egnatia”
  6. Rruga “Mars 91”
  7. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
  8. Rruga e “Dëshmorëve”
  9. Rruga “Adria”
  10. Rruga “Pavarsia”
  11. Rruga “Hafiz Pogdorica”
    Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.
    Rrugët e destinuara për parkim në rrugë me pagesë që përfshihën në zonën B, janë si më poshtë:
  12. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
  13. Rruga “Mujo Ulqinaku”
  14. Rruga “Stefan Kaculini” dhe rruga “Glaukia”
  15. Rruga “Hysen Kërtusha”
    Tarifat e propozuar për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora.