Kërkuan pamjet filimke nga KQZ/ Rama “presion” kandidatëve të PS: Mos i hyni asaj rruge!

Numërimi i votave preferenciale ka lënë të pakënaqur disa prej kandidatëve në radhët e Partisë Socialiste. Një pjesë e tyre kanë kërkuar pamjet filmike të procesit të numërimit nga KQZ-ja.

Kjo kërkesë e kandidatëve ka vënë në lëvizje kryetarin e PS, Edi Ramën, i cili u ka kërkuar të mos i hyjnë asaj rruge.

Ai u është drejtuar me një mesazh kandidatëve, që kanë shprehur kërkesa për të rishikuar procesin e filmimit të numërimit.

Në Tiranë pati një garë të forte mes kandidateve socialiste, përkatësisht ndërmjet Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçka.

Kjo e fundit arriti të siguronte një ulëse në parlamentin e ri, me një diference prej 100 votash nga Gjylameti. Edhe kandidati tjetër Xhemal Qefalia Humbi garën përballë Ornaldo Rakipit.

Mesazhi i Ramës:

Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”.