Kërkon telefonin e sekuestruar nga SPAK, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Monika Kryemadhit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Monika Kryemadhit për lirimin e një telefoni celular të bllokuar nga SPAK. Një Kolegj Penal refuzoi rekursin e Kryemadhit, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaccëm, që refuzoi kthimin e pajisjes. Telefoni celular që kërkon ish drejtuesja e LSI është sekuestruar në banesën e një familjari të saj.

Telefoni është sekuestruar pas kontrolleve ndaj personave të pyetur në dosjen Meta – kryemadhi, të  bashkuara prej një viti në një procedim të vetëm.Por për shkak të sekretit hetimor edhe SPAK dhe gjykata nuk japin detaje mbi rrjedhën që kanë marre hetimet.

Ajo që është publike është fakti që SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion.

I pari lidhet me një kallëzim të depozituar në SPAK për akuzën e Korrupsionit, Pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. Në denoncimin e avokatit Idajet Beqiri, përmendet se bashkëshortët Meta-Kryemadhi kanë kryer ndërhyrje estetike në një klinikë private jashtë vendit dhe se nuk kanë deklaruar shpenzimet.

Hetimi për dyshimet e pastrimit të parave ka sjellë automatikisht hetim pasuror. Një tjetër hetim është edhe ai i denoncimit në episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  njohur ndryshe si lobimi 700 mije dollaresh. Në kallëzim thuhet se partia që drejtohej nga Ilir Meta, pagoi miliona për të lobuar për një fotografi me Donald Tramp.