Kërkon të dalë nga burgu, Gjykata refuzon kërkesën e Ilir Beqajt

GJKKO ka refuzuar lehtësimin e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe të akuzuarve të tjerë, lidhur me abuzimin e fondeve të SASPAC, kur kjo e fundit drejtohet nga Beqaj.

Në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Posaçme, u la në fuqi masa e “arrestit me burg” për Beqajn dhe bashkëpunëtorët e tij, Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollën.

Ish-ministri Beqaj, i cili është edhe në hetim për koncesionit e Sterilizimit, u arrestuar në korrik të këtij viti me urdhër të SPAK, sa i takon abuzimeve me fondet evropiane teksa drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Sipas dosjes së SPAK, gjatë kohës që Ilir Beqaj ishte në krye të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), kanë qenë të paktën 8 raste, ku Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë paracaktuar fituesin e tenderit që do të bëhej. Në të gjitha rastet fitues ka dalë restoranti i Ilir Beqajt ‘Gzona’ që ndodhet tek kalaja e Tiranës.

Përveç kësaj, SPAK ka zbuluar se Beqaj ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin e sipërmendur që nga krijimi e deri në vazhdim. Ish ministri, interesat e tij pasurore mbi ketë restorant i ka ushtruar përmes Ermal Kurtulajt, i cili ishte administratori, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Gjithashtu ish-ministri ka fshehur edhe blerjen e një automjeti të blerë në vitin 2019 në emër të Kurtulajt, pasuri e cila u sekuestrua nga SPAK.