Këtë të premte në Gjykatën Administrative po zhvillohet seanca në lidhje me padinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror.
Ndërkohë janë zbardhur edhe detaje nga fjala e Veliajt, i cili pretendon se prokurori i SPAK nuk e ka mbaruar shkollën e Magjistraturës, por arreston njerëz.
Erion Veliaj: Nuk jam këtu për mëshirë, apo për dramën e familjes time dhe çka më shkaktoi mua kjo. Dua të flas se çfarë ka shkaktuar për Bashkinë e Tiranës. Unë kam 14 muaj që lexoj letra dhe kur shikoj që njerëz që s’kanë mbaruar magjistraturën arrestojnë njerëz. Jam kallëzuar nga një njeri që nuk ekziston. Pra nuk jam denoncuar nga një person anonim, por nga Nesti Angoni që nuk ekziston.
Hazbi Balliu: Ju lutem fokusohuni tek procesi që jemi sot.
Veliaj: Veç në rastin tim ka një kallëzim fake. Fitova gjyqin për shpifje për një italian dhe doli se ka gënjyer për inceneratorët. Kam frikë se është një kurth ky proces i imi. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj, 101 çerdhet që ndërtoi apo pemët apo shkollët?
Hazbi Balliu: Kaloni tek pikat e procesit.
Veliaj: Nesti Angoni të kallëzon dhe regjistrohet çështja pas 7 muajsh dhe jo pas dy javësh siç është afati. Ka diçka që nuk shkon. Është dora e një njeriu që ka marrë porosi. U shty dhe një vit tjetër regjistrimi i emrit Erion Veliaj. Më është bërë një vetting 20-vjeçar i imi. Edhe kur kam qenë i mjafti dhe më thotë në vitin 2004 me kë kam qenë me charter. Mund të kem qenë dhe me Bin Ladenin. Por ku e di unë kush është, aty ka qenë avion turistik.
Sipas Veliajt, me arrestimin e tij punët në Bashki janë bllokuar, ndërsa thotë se nuk firmos më njëri nga frika se mund të arrestohen si ai.
“Ky është Ols Dado. Pra Kuzhinieri është bërë pilot. Sot nuk firmos më njeri ne bashkinë e Tiranës se thonë kur një njeri që punonte edhe të dielën është në burg pse te firmosim. Nuk është hapur asnjë kopsht. Kanë ngelur. Edhe plehrat janë rrugëve. Buxheti u dogj se nuk firmos më njeri, nuk firmos më dreka për fëmijët në shkolla. Qyteti po shkonte si Artemis dyshi lart tani ka një klimë terrori”, mësohet të ketë thënë Veliaj në seancë.