Kërkoi t’i ktheheshin dokumentet e sekuestruara nga SPAK, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Jamarbër Malltezit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të enjte rekursin e bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky i fundit kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për t’i rikthyer dukumentacionin e sekuestruar nga SPAK, në hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Ndërkohë pak ditë më parë, Gjykata e Lartë la në fuqi sekuestron e pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit.

Gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni nuk pranuan rekursin e dhëndrit dhe vajzës se ish-kryeministrit Berisha duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Bëhet fjalë për 25 pasuri që janë venë në sekuestro me kërkesë të SPAK në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Kujtojmë se Jamarbër Malltezit, u arrestua në tetor të vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit ndërsa më pas Apeli i GJKKO caktoi ndaj tij një masë më të butë sigurie, atë të “arrestit në shtëpi”.